Objekti ku do të vendoset Gjykata Speciale | Foto: Wikimedia

Specialja flet për ftesat për komandantët e UÇK-së

Pak ditë pasi që disa nga komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u ftuan për t’u intervistuar në Hagë, zyrtarë nga Dhoma e Prokurorit të Specializuar janë deklaruar për KALLXO.com në lidhje me cilësinë në të cilën po ftohen disa prej ish-udhëheqësve të UÇK-së.

Duke u përgjigjur në pyetjet e KALLXO.com se a po ftohen si të dyshuar apo tashmë ka aktakuza ndaj të ftuarve, Chris Bennett nga Zyra për Informim e Prokurorit të Specializuar refuzoi të japë një shpjegim për cilësinë juridike në të cilën po ftohen disa ish-komandantë dhe pjesëtarë të UÇK-së.

“Zyra e Prokurorit të Specializuar janë të vetëdijshëm që disa avokatë kanë njoftuar se klientët e tyre janë ftuar për intervista. Sidoqoftë, ne nuk deklarohemi për statusin e hetimeve për arsye profesionale, ligjore dhe etike”, tha Bennett.

Ditë më parë, avokati Arianit Koci njoftoi se klienti i tij, ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa i njohur si Remi është ftuar për t’u intervistuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Përveç Mustafës, po ashtu sipas njoftimit të avokatit, Arianit Koci, u ftua edhe ish-komandanti tjetër i UÇK-së, Sami Lushtaku.