Sivjet 3 Milionë Euro për të Riatdhesuarit

Në takim morën pjesë Kryeministri Isa Mustafa, ministri i Integrimit Bekim Çollaku, shefi dhe përfaqësuesi special i Zyrës së BE-së në Kosovë Samuel Zhbogar dhe kryetarët e komunave të Kosovës.

Ministri i MPB-së si nikoqir i takimit u kujdes që të flasë veç vetë në lidhje me riintegrimin e kosovarëve të kthyer nga jashtë si kusht për liberalizim vizash, duke mos ua dhënë fjalën të ftuarve tjerë, para se të mbylleshin dyert për mediet.

Hyseni tha se nga fundi i 2014-ës e deri në fillim të 2015 nga Kosova drejt vendeve të BE-së u larguan 80 mijë persona, ndërsa tregoi edhe numrin e të kthyerve.

Deri tash sipas ministrit të brendshëm “rreth 17 mijë persona janë rikthyer”.

Ai tha se ministria që ai drejton  së bashku  me Ministrinë e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor janë duke e zbatuar fondin prej 3 milionë eurove për riatdhesimin e imigrantëve kosovarë.

Sipas Hysenit, ky fond është më i lartë sesa i viteve të kaluara,  njësoj si dhe numri i atyre që kanë nevojë për këtë fond.

“Pavarësisht nga statistikat buxhetore që mund të evidentohen pas analizave që kemi bë mund të shihet që numri I evidentuesve nga fondi për riatdhesim është konsiderueshëm më i lart se vitin paraprak,“  tha Hyseni.

Hyseni tha se ata presin që komunat të kenë një plan strategjik për punësimin e personave të cilët riatdhesohen në Kosovë, si dhe deklaroi se pret që gjatë vitit 2016 të ketë rritje të punësimit të personave të riatdhesuar.

Ministri bëri të ditur që shumë shpejt pritet të nënshkruhet një marrëveshje me UNDP-në si dhe Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale që të punësohen në vitin 2016 së paku 400 persona të riatdhesuar.

Hyseni tha se pret që komunat të kenë një plan strategjik për punësimin e personave të cilët riatdhesohen në Kosovë.

Ai kritikoi komunat që ende nuk kanë hartuar Plan të Veprimit për Riatdhesim.

“Komunat që nuk kanë miratuar planin e riintegrimit janë Prishtina, Fushë Kosova, Graçanica, Parteshi, Zveçani, Leposaviqi dhe Mitrovica e Veriut dhe presim që sa më shpejt ta realizojnë këtë plan,” tha Hyseni.

Ai tregoi edhe për punën e vitit të kaluar me të riatdhesuarit.

“Gjatë vitit 2015 janë asistuar 2 mijë e 802 persona,  dhe kursimi I buxhetit që është realizuar në mallra dhe shërbime është rialokuar me buxhetin e këtij viti në kategorinë e subvencioneve që nënkupton investim më të madh në punësim për të riatdhesuarit, aftësim profesional dhe vet punësim,” deklaroi ministri.