Prokuroria kërkon arrest shtëpiak për kirurgun që dyshohet se sulmoi fizikisht kolegun e tij

Prokuroria e Gjilanit ka kërkuar masën e arrestit shtëpiak për mjekun Luan Mustafën, i cili dyshohet se gjatë ditës së djeshme e ka sulmuar kolegun e tij A.M., që sipas prokurorisë kishte qenë në zyrën e tij në Repartin e Kirurgjisë.

Këtë për KALLXO.com e ka konfirmuar avokati Isa Mustafa, i cili mbron të dyshuarin.

“Unë nuk kam pa që për veprën, ‘lëndim i lehtë trupor’ të propozohet masë e tillë, por megjithatë rasti do të vazhdoj në procedurë të rregullt, derisa të mblidhen faktet sepse Morina nuk ka asnjë dëshmi që klienti im e ka sulmuar” – tha avokati Isa Mustafa për KALLXO.com.

Kirurgu Mustafa është suspenduar për tre muaj me 50% të pagesës.

Kjo masë e përkohshme është vendosur nga Komisioni Disiplinor i Spitalit të Gjilanit me procedurë të shpejtë, deri në kompletimin e dokumentacionit të plotë në lidhje me rastin.

Kështu e ka konfirmuar për KALLXO.com, drejtori i Spitalit të Gjilanit, Arsim Emini.

I dyshuari ishte dërguar në mbajtje me urdhër të prokurorisë me dyshimin e kryerjes së veprës penale “lëndim i lehtë trupor”.

“Referuar pyetjeve tuaja, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Gjilan, e ka ndaluar të dyshuarin L.M., në kohëzgjatje prej 48 orëve, për shkak të dyshimit se në Spitalin e Gjilanit ka kryer veprën penale ‘’Lëndimi i lehtë trupor’’” – thuhet në përgjigjen e Prokurorisë për Kallxo.com.

Rasti është duke u trajtuar si “lëndim i lehtë trupor”.

Nga të dhënat e policisë mësohet se i dyshuari ishte larguar nga vendi i ngjarjes, kurse pas arrestimit ishte dërguar në mbajtje prej 48 orësh, kurse lidhur me rrethanat e rastit policia është në hetime.