Skender Hyseni në Gjykatë - Foto: KALLXO.com

Arsyetimi i Gjykatës për lirimin Skender Hysenit nga akuza për mosdeklarim apo raportim të rrem të pasurisë

Ish-koordinatori shtetëror për dialog, Skender Hyseni, më 05.12.2023 ishte liruar nga akuza pasi që sipas prokurorisë i njëjti nuk kishte deklaruar një veturë të tipit “Volkswagen” në vlerë prej mbi 13 mijë euro, e cila ishte në pronësi të bashkëshortes së tij.

Sipas arsyetimit të gjyqtarit, Sabit Sadikaj në aktgjykimin e përpiluar më 07.12.2023 kishte specifikuar se nuk është provuar se është kryer vepra penale e mosraportimit të pasurisë dhe se nga mosveprimet e saj nuk është fshehur asgjë e paligjshme.

“Me provat e proceduarat e të cilave Gjykata ua ka falur besimin, nuk u provua se ekzistojnë elemente qenësore të veprës penale për të cilën është akuzuar dhe se disa nga mosveprimet e saj nuk janë inkriminuese sepse me to nuk është fshehur asgjë e paligjshme”- thotë arsyetimi i Sadikajt.

Hyseni nga Prokuroria është akuzuar se ka bërë deklarim të rremë ose nuk i ka paraqitur të dhënat e kërkuara në deklarim, dhe kjo dispozitë nuk specifikon se për t`u kryer vepra penale duhet të fshihet diçka e kundërligjshme.

“Çdo person… i cili bën deklaratë të rreme ose nuk paraqet të dhënat e kërkuara në deklaratë, dënohet me gjobë dhe me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet”- thuhet në nenin 430, paragrafi 2 i Kodit penal të Kosovës.

Paragrafi i lartcekur “nuk paraqet të dhënat e kërkuara në deklaratë” sipas gjykatës element i kësaj vepre penale del të jetë dështimi i deklaruesit për të paraqitur të dhënat, ndërsa në rastin konkret arsyetimi i gjyqtarit thotë që Hyseni i ka paraqitur të dhënat e kërkuara në deklaratë duke paraqitur tërë pasurinë e tij dhe të bashkëshortes së tij, mirëpo në deklarimin e tij i njëjti nuk e ka paraqitur vetëm veturën e tipit “Volkswagen”.

Sipas Gjykatës ndër provat të cilat ishin administruar, kontestuese del të jetë nëse i pandehuri me dashje nuk i ka paraqitur të dhënat e kërkuara në formularin për deklarimin e pasurisë.

Këtë konstatim Gjykata e ka bazuar në faktin e dhënies së dëshmisë së zyrtarit të AKK, se Hyseni kishte dhënë sqarim në afat prej 15 ditëve në AKK, kur i ishte kërkuar versioni më  11.12.2020 për mos deklarimin e veturës.

“Andaj gjykata ka gjetur se në bazë të kësaj nuk është arritur të vërtetohet se i pandehuri Skender Hyseni e ka kryer veprën penale për të cilën akuzohej për shkak se nga dëshmia nuk është arritur të vërtetohen veprimet ose mosveprimet e të njëjtit a ishin të qëllimshme apo jo, nëse po cili ishte ai qëllim”- thotë tutje arsyetimi.

Gjykata gjatë shqyrtimit të provave e ka konsideruar si fakt të pa kontestueshëm se vetura e cila nuk ishte paraqitur në deklarimin e pasurisë ka qenë në pronësi të bashkëshortes së të akuzuarit.

Si fakt tjetër të pa kontestueshëm Gjykata e ka konstatuar edhe mos deklarimin e veturës së tipit “Volkswagen” nga i akuzuari në vlerë prej 13,300 euro. Ky konstatim ka ardhur edhe nga deklarimi i vet të akuzuarit, sipas gjykatës.

Gjykata ka konstatuar se në rastin konkret nuk ka arritur të vërtetohet dashja e të akuzuarit për kryerjen e veprës penale për të cilën akuzohej.

22.01.2024 KALLXO.com kishte raportuar se Prokuroria ka parashtruar ankesë kundër vendimit lirues ndaj Skender Hysenit.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë së Prishtinës, Skender Hyseni ka kryer veprën penale – mosraportim ose raportim i rremë i pasurisë.

Sipas Prokurorisë, Skender Hyseni në gusht të vitit 2020 në cilësinë e zyrtarit të lartë publik – koordinator shtetëror për dialog në Zyrën e Kryeministrit, me dashje nuk i ka paraqitur të dhënat e kërkuara në formularin për deklarim të pasurisë me rastin e marrjes së detyrës si koordinator.

Sipas aktakuzës, në raportin e Agjencisë Kundër Korrupsionit thuhet se Hyseni nuk e ka deklaruar veturën e tipit “Volkswagen” në vlerë prej 13,300 euro, e cila është në pronësi të bashkëshortes së tij.