Ilustrim

Pse është i rëndësishëm sigurimi i shëndetit në udhëtim për vizitorët në Evropë?

26 vjeçarja M. B., kishte udhëtuar për vizitë në shtetin gjerman, e njëjta kishte bërë sigurim 2 javorë të shëndetit në udhëtim dhe ka qëndruar më shumë se një muaj.

Gjatë kësaj kohe ajo ka pasur një aksident trafiku. Kompania e sigurimit nuk mund t’ia mbuloj asaj shpenzimet shkaku se i ka skaduar afati i sigurimit në udhëtim.

Ajo është duke u trajtuar në një spital në Gjermani.

Kallxo.com ka biseduar me Teuta Gashin e cila është përgjegjëse për Departamentin e Shëndetit në Udhëtim e Aksidente Personale, në kompaninë e sigurimeve, ‘Sigal’.

Ajo ka thënë se ky sigurim është shumë i rëndësishëm, sepse siç shtoi ajo, në rast të ndonjë emergjence mjekësore kostot janë shumë të larta kudo në Evropë.

“Çmimi i kësaj police është minimal dhe mbulon një limit prej 30,000 euro, (për dy javë qëndrim në Evropë, kushton 15 euro). Rekomandohet gjithashtu të keni një sigurim udhëtimi sepse shteti ku udhëtoni mund të kërkoj nga ju dhe në rast se nuk e keni mund t’iu detyroj të blini një të tillë dhe çmimet janë shumë më të larta se në Kosovë”- tha Gashi.

Çka mbulon sigurimi i shëndetit në udhëtim?

“Polica e shëndet në udhëtim mbulon shpenzimet e mjekimit emergjent si pasojë e aksidentit dhe sëmundjes akute që ndodhin gjatë qëndrimit në shtetin për të cilin keni marr policën, jashtë territorit të Kosovës, dhe shpenzimet e riatdhesimit, sipas shumave të sigurimit të përcaktuara në policën e sigurimit. Kjo policë nuk e mbulon Kosovën dhe shpenzimet mjekësore jo-emergjente”- ka sqaruar tutje Gashi.

Nga Byroja Kosovare e Sigurimit, nuk kanë shifra të sakta rreth numrit të këtij lloji të sigurimit që mbulon shpenzimet e nevojshme të arsyeshme emergjente mjekësore, hospitalizimin dhe shërimin në rast të ndonjë aksidenti e shërimin në rast të një sëmundje akute nga e cila personi i siguruar nuk ka vuajtur më parë.

“Shpenzimet e riatdhesimit në rast se personi i siguruar si pasojë e aksidentit apo sëmundjes vdes në zonën e përshkruar në policë/kushte të përgjithshme. Përveç mbulesave bazike, mund të ketë edhe mbulesa tjera si: anulimi i udhëtimit, humbja e bagazhit apo edhe mbulesa tjera. Gjithsesi, këto janë mbulesa që përcaktohen gjatë kontraktimit ndërmjet siguruesit dhe të siguruarit”- thuhet në përgjigjen BKS-së.

Ndërsa nga të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës shihet që numri i këtyre policave është rritur dukshëm nëse krahasojmë janarin e vitit 2023 dhe janarin e vitit 2024.

“78 mijë e 969, polica të shëndetit në udhëtim janë vetëm në janar të këtij viti, ndërsa në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, pra në janar 2023, ishin 18 mijë e 188 polica”- thuhet në përgjigjen e BQK-së.