Prokuroria ushtron ankesë ndaj lirimit të Skender Hysenit në lidhje me akuzat për mosdeklarim të pasurisë

Skender Hyseni ishte liruar nga Gjykata e Prishtinës për akuzat që rëndonin mbi të për mosdeklarim apo deklarim të rremë të pasurisë.

Mosdeklarimi kishte të bënte me veturën e tipit “Volkswagen” në vlerë prej 13,300 euro, e cila është në pronësi të bashkëshortes së tij.

Gjyqtari Sabit Sadikaj kishte shpallur aktgjykim lirues ndaj tij, duke thënë se “nuk është provuar që i njëjti ka kryer vepren penale dhe se mjetet me të cilat është blerë automjeti i të pandehurit, nuk është provuar se rezultojnë nga ndonjë veprimtari e kundërligjshme”.

Ndaj lirimit të tij, në dhjetor të vitit të kaluar është ankuar Prokuroria e Prishtinës.

Për KALLXO.com e ka bërë të ditur zëdhënësja e këtij institucioni, Laureta Ulaj.

“Ju njoftojmë se prokurori i rastit ka paraqitur ankesë kundër aktgjykimit të nxjerrë nga gjykata kompetente lidhur me këtë çështje penale.” – thuhet në përgjigjen e dhënë.

Sipas dosjes së Prokurorisë, Skender Hyseni në gusht të vitit 2020 në cilësinë e zyrtarit të lartë publik – koordinator shtetëror për dialog në Zyrën e Kryeministrit, me dashje nuk i ka paraqitur të dhënat e kërkuara në formularin për deklarim të pasurisë me rastin e marrjes së detyrës si koordinator.

Sipas aktakuzës, në raportin e Agjencisë Kundër Korrupsionit thuhet se Hyseni nuk e ka deklaruar veturën e tipit “Volksëagen” në vlerë prej 13,300 euro, e cila është në pronësi të bashkëshortes së tij.

Artikujt në lidhje me Skender Hysenin i gjeni në këtë LINK.