Rigjykimi i Policëve për Marrje Ryshfeti

Prokuroria Themelore në Gjilan akuzon policët Fadil Rashiti dhe Habibe Dushica se nga gushti i vitit 2009 e deri në vitin 2010 në 6 raste kanë kryer veprën penale marrje e ryshfetit, duke marrë në total 45 euro nga të dëmtuarit.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të avokatit të tij Shemsedin Pira, polici Fadil Rashiti u deklarua i pafajshëm për marrje ryshfeti.

Rashiti tha se në kohën për të cilën prokuroria pretendon se ka kryer këtë vepër penale, ai ishte transferuar me punë nga stacioni policor i Gjilanit në Viti.

Pastaj avokati Masar Morina e pyeti të mbrojturën e tij Habibe Dushica, se pse ajo dhe kolegu i saj rashiti janë denoncuar për marrje ryshfeti nga të dëmtuarit.

“E di arsyen pse na kanë denoncuar, pasi që në atë pjesë ka pasur shumë kontrabandë me dru dhe raste të ndryshme, e ne kemi qenë pengesë për krimet e tyre,” tha policja Dushica.

Prokurori Isuf Sadiku ia dorëzoi më pas fjalën e tij përfundimtare trupit gjykues, duke i qëndruar besnik aktakuzës, ngase sipas tij të dëmtuarit dhe dëshmitarët në detaje para trupit gjykues përshkruan mënyrën, formën dhe kohën se kur janë kryer këto vepra penale.

Ai përveç dënimit të dy policëve për marrje ryshfeti, kërkoi nga gjykata që t’ua ndalojë atyre edhe ushtrimin e këtij profesioni.

Por, avokati Shemsedin Pira tha se nuk janë bindëse dhe as të argumentuara dëshmitë e të dëmtuarve, dhe shtoi që rasti është banal, pasi prokuroria nuk ka arritur të argumentojë asnjërën tezë të akuzës.

Avokati tjetër Masar Morina tha se paratë për të cilat prokuroria pretendon se janë marrë si ryshfet nga policët nuk janë gjetur, ndërsa atyre nuk u dihet as numri serik.

Pas seancës Shemsedin Pira, avokati i policit Fadil Rashiti tha se në këtë proces fjalën e tyre e kanë thënë shumë dëshmitarë që pretendojnë se janë të dëmtuar, pa qenë të tillë.

Është një çështje që nëse e vlerësoni nga aspekti shkencor i së drejtës penale unë konsideroj se këtu  asnjë provë  nuk është shtjellu që në çfarëdo mënyre do ta implikonte të akuzuarin Fadil Rashiti që në bashkëveprim me Habibe Dushicën t’i ketë kryer veprat penale me të cilat i ngarkon aktakuza,” tha Pira.

Ai tha se beson që klienti i tij do të shpallet i pafajshëm.

“[Rasti] ka qenë njëherë në Gjykatën e Apelit, është prishë dhe është kthy në rigjykim dhe gjykata ka sugjeru se cilat të meta duhet me i mënjanu. Unë jam i bindur që vendimi që do ta marrë ky kolegj do të jetë i drejtë dhe i ligjshëm dhe këta do të lirohen nga përgjegjësia penale,” tha avokati Pira.