Prokurori Arsyeton Amnistinë e Kompanive nga Tatimet

Në pjesën e dytë të trilogjisë së emisioneve “Vjedhja e Organizuar Tatimore”, Prokurori Special, Ali Rexha tregon se si janë zhvilluar hetimet në rastin e skemës së vjedhjes tatimore që ishte realizuar me formimin e 4 kompanive fiktive që i shërbenin rreth 300 kompanive reale.

Në bazë të kallëzimit penal që Inspektori Tatimor, Murat Mehmeti, e dërgoi në Prokurorinë Speciale, prokurori Ali Rexha filloi hetimet që quan në arrestimin e 5 personave , pronarë të kompanive fiktive dhe një kontabilist.

Mehmeti rastin e lajmëroi edhe në KALLXO.com.

E përndjekje penale nuk pati për asnjërën kompani që ka blerë fatura nga këto kompani fiktive duke i shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës me miliona euro.

Rexha tregon se Administrata Tatimore e Kosovës kishte vepruar në bazë të ligjit që thotë se kompanitë që bëjnë ‘gabime’, të tilla dhe i përmirësojnë faturat  dhe kthejnë paratë që ia kanë borxh buxhetit të shtetit, nuk ndiqen penalisht.

“Siç më kanë informuar hetuesit, të gjithë ata që kanë marrë fatura fiktive, i kanë tërheq nga kontabiliteti, kanë kërkuar falje dhe kanë rimbursuar buxhetin e Kosovës, kanë paguar tatimin”, thotë Rexha.

Megjithatë, procedura e faljes pas kthimit të borxhit ndaj buxhetit të Kosovës u praktikua vetëm ndaj 23 kompanive kosovare duke i lënë rreth 270 të tjera pa ndjekje penale apo rimbursim material.

Për këtë çështje, prokurori Rexha thotë se i ka besuar në mënyrë absolute punës së hetuesve të ATK-së dhe raportimit që ata e kanë bërë tek ai.

“Ju kam besuar dhe ju besoj fuqishëm punën e hetuesve që kanë punuar, kanë respektin e plotë tek unë”, tha Rexha.

Ai gjithashtu thotë se nuk ka qenë në dijeni që njëri nga hetuesit primarë të kësaj çështje, Murat Mehmeti ka qenë i transferuar nga rasti pasi kishte dërguar kallëzimin penal në prokurori dhe se ka pasur ndonjëherë presion nga ana e ATK-së ndaj Mehmetit.

Serinë e dytë të emisionit “Vjedhja e Organizuar Tatimore” mund ta shikoni në linkun e mëposhtëm:

Këtu mund ta shihni emisionin e parë për këtë temë, të transmetuar javën e kaluar: