Ish-polici kosovar: Serbia ka rekrutuar mbi 500 pjesëtarë për mbrojtjen civile në 6 muajt e fundit

Murat Mehmeti, një ish-zyrtar policor që ka shërbyer për disa vite në komunat veriore, duke komentuar situatën e fundit në veri, ka rrëfyer historinë se si janë krijuar rojet e urës në Mitrovicën e Veriut.

“Që nga dita e parë kur ka hy KFOR, kur ka shku tanku i parë, është shtrirë një pjesëtar i komunitetit rom, i cili ka rezistuar, është shtrirë dhe sot e asaj dite, një rrugë mbanë emrin e tij. Dhe në vend të KFOR-it amerikan, kanë shku KFOR-i francez” – tha ai.

Duke folur për rojat e nderit, Mehmeti tregon edhe për numrin e pjesëtarëve të rojave të nderit, të cilat pastaj janë intergruar, sipas marrëveshjeve të Brukselit.

“Që nga dita e parë, fillimisht si shoqatë në kuadër të kishës, si Shën Dimitrie, pastaj në kuadër të saj janë punësuar 900-1,000 struktura të rojeve të urës që kanë ekzistuar deri në vitin 2009 dhe të gjithë pjesëtarët e MUP që kanë qenë kosovar me origjinë, janë integruar, por deri në vitin 2013 kanë funksionuar” – shtoi ai.

Mehmeti ka pretenduar se Serbia është duke rekrutuar pjesëtarë të rinj për strukturat e saj në veri.

“Le të integron sa të do Prishtina, Vuçiq është duke rekrutuar të tjerë. Mbrojtja civile në 6 muaj të fundit e ka kaluar 500, këta njerëz nuk janë njerëz të rëndomtë, dikush i ka pajisur me pushkë automatike, dikush ju ka dhënë makina dhe kanë ushtruar në baza ushtarake në Serbi”, ka thënë ai.

Sonte në emisionin ‘Kallxo Pernime’ është duke u transmetuar emisioni për situatën në veri, ku në dy ditët e fundit serbët atje vendosën ti lëshojnë institucionet e Kosovës dhe protestuan për të kundërshtuar vendimin e qeverisë së Kosovës për konvertimin e tabelave të veturave nga ato ilegale në ato të RKS-së.