VIDEO - Prishtina Parking e bllokon veturën e ATK-së, zyrtari ‘detyrohet’ ta paguajë gjobën prej 20 euro

Prishtina Parking i bllokon veturën zyrtarit të ATK-së, ai thotë se ka leje nga MPB për të parkuar

Murat Mehmeti, zyrtar i Administratës Tatimore të Kosovës po ankohet se dje është detyruar të paguajë gjobë prej 20 eurove për t’ju liruar vetura zyrtare nga bllokada e vendosur nga ‘Prishtina Parking’.

Kjo bllokadë është vendosur për shkak se ai nuk ka kryer pagesën e kërkuar pwr arkim.

Mirëpo, Mehmeti thotë se ka lejen e lëshuar nga Ministria e Punëve të Brendshme për të parkuar në çdo parking publik.

“Kam qenë në krye të punëve zyrtare. Diku pas orës 13:20 jam parku si zakonisht. Ne kemi veturat zyrtare dhe kemi leje të parkingut të lëshuar nga Ministri i Punëve të Brendshme për të drejtë leje me e parku në të gjitha parkingjet publike. Asnjëherë s’na ka ndodh deri sot, kanë mirëkuptim, sot pas 20 minutave kur jam kthyer, e kishin bllokuar rrugën, e kishin vendos bllokadën. Tha “duhet t’i paguash 20 euro”, thashë “na nëse kryejmë punë zyrtare edhe me pagu nga 20 euro në ditë, nuk kem i mundësi” – shpjegon Murati ngjarjen.

Ai tha se kjo leje u ripërtërihet çdo vit dhe zakonisht, fizikisht u dorëzohet në shkurt apo në mars.

Pasi që shumica e punës së tyre, thotë se është në terren, ai pyet se si mund të paguajnë çdo ditë për parking, përderisa kryejnë punë zyrtare.

Kryeshefi i “Prishtina Parking”, Sokol Havolli për KALLXO.com tha se asnjë kategori nuk lirohet nga pagesa dhe çdo institucion duhet të paguajë për shërbimin e parkingut.

“Ne punojmë në bazë të rregullores së komunës, e cila nuk e liron asnjë kategori prej pagesave në pronë komunale” – tha Havolli.

Ai tregoi se në ditët e ardhshme do të takohen me ATK-në për të biseduar për këtë çështje.

“Me ATK-në i kemi aranzhuar disa takime për këtë javë ose javën tjetër, që ata me i buxhetu këto mjete dhe me e pagu ndërmarrjen, sepse edhe parkimi është njëjtë sikur secili shërbim komunal, sikur që është ngrohtorja, secili institucion e paguan ngrohtoren” – tha kreu i kësaj ndërmarrjeje publike.

“Pjesa e parkimit nuk është çështje e lejeve speciale por çështje e pagesës së një shërbimi komunal” – shtoi ai.

Raste të tilla, Havolli tha se ka pasur edhe në të kaluarën, kur veturave zyrtare u janë vendosur bllokada apo janë konfiskuar me urdhër të policisë, për shkak të mospagesës.