Dosja e Prokurorisë - Si iu shmangën pagesave tatimore pronarët e disa bizneseve në Kosovë?

Katër biznesmenë dhe një kontabilist sot u ulën në bankën e të akuzuarve në Gjykatën e Ferizajt.

Ekrem Hyseni e Valdete Hyseni-Fazliu akuzohen për shmangie nga tatimi kurse Dushan Vasiq, Herolind Elezi e Shaban Ismajli akuzohen që kanë përdorur dokumente të rrejshme lidhur me tatimin dhe me këtë e kanë ndihmuar shmangien tatimore.

Këta janë pronarë të disa prej bizneseve që sipas Prokurorisë përdorën skemën e shmangies tatimore përmes bizneseve fiktive. Një skemë e ngjashme ishte ekspozuar në hulumtimin “Vjedhja e Organizuar Tatimore”, që u publikua në vitin 2016 nga BIRN.

Të gjithë të akuzuarit e këtij rasti janë deklaruar të pafajshëm rreth akuzave që u vihen në barrë nga Prokuroria.

Emisioni “Jeta në Kosovë” kishte transmetuar një hulumtim disamujor rreth një skandali multi-milionësh në ATK.

“Jeta në Kosovë” në vitin 2016 publikoi serinë prejt 3 emisioneve në këtë temë, duke e ekspozuar skemën e vjedhjes së organizuar dhjetëra milionëshe me fatura fiktive nga biznese fiktive.

Kjo skemë u ekspozua nga Murat Mehmeti, sinjalizuesi i guximshëm që foli në serinë e parë të emisioneve të BIRN-it pasi që ATK, EULEX, Prokuroria dhe Policia kishin dështuar të merrnin masa pas dëshmive që Mehmeti i dha në gjitha këto institucione.

Kur rasti u bë publik dhe fitoi çmimin si njëri prej 3 hulumtimeve më të mira të vitit 2016, Prokuroria filloi të mobilizohej dhe Murati sot u paraqit si dëshmitar në Gjykatën e Ferizajit.

Hulumtimi i jashtëzakonshëm i KALLXO.com në fund kishte rezultuar me ngritje të aktakuzës për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Në pjesën e parë të emisionit për ‘’Vjedhjet e Organizuara Tatimore’’, Murat Mehmeti kishte rrëfyer se si kanë arritur disa biznese të udhëhequra nga një kontabilist t’u ikin pagesave tatimore duke i shkaktuar kështu dëm buxhetit të Kosovës në vlerë miliona euro.

Pjesa e dytë e trilogjisë së emisionit ‘’Jeta në Kosovë’’ i është kushtuar skemës së evazionit fiskal të cilën e ka zbuluar Mehmeti.

Pas këtij zbulimi Mehmeti është përballur me presione dhe transfere në punën e tij. Ndërsa në pjesën e tretë të këtij hulumtimi ishte transmetuar një pasqyrë edhe më e gjerë e funksionimit të Administratës Tatimore të Kosovës.

Murat Mehmeti, i ftuar në cilësinë e dëshmitarit të Prokurorisë, u dëgjua si udhëheqësi i Divizionit të hetimeve tatimore pranë Administratës Tatimore të Kosovës. Ai tregoi operacionin se si ai së bashku me zyrtarët hetues tatimorë pranë Administratës Tatimore e kishin kryer në vitin 2018.

“Nga pesë operacione kemi shkuar në lokacione që kishim bo kërkesat dhe duke i respektuar të drejtat. Nga palët kemi kërkuar saktësisht cilat prova që i kërkojmë dhe pothuajse në të gjitha lokacionet palët kanë qenë bashkëpunuese dhe pa hezitim kanë ofruar faturat, pagesat, të cilat u kemi treguar  menjëherë”- u deklarua Mehmeti.

I njëjti në mënyrë të detajuar shpjegoi se si ishte zbatuar urdhri i Gjykatës së Ferizajt për kontroll te këto biznese, si kishte shkuar operacioni dhe çka kishin kërkuar nga palët që gjendeshin në ato momente në biznese.

“Zyrtarët hetues tatimorë kanë kryer grumbullim të provave në fazën parahetimore, parapenale, të cilat prova kanë rrjedhë nga departamentet e brendshme të ATK-së  dhe të njëjtat është dashtë të analizohen , të kryhen verifikime konkrete në terren, të analizohen llogari bankare të disa palëve të involvuara në këto transaksione ekonomike financiare për të cilat departamente të brendshme kishin dërguar sinjale se mund te jenë transaksione të pandodhura – fiktive”- vazhdoi tutje Mehmeti.

I njëjti tregoi edhe indikacionin se nga kishte ardhur dyshimi fillestar për këto transaksione fiktive.

Sipas tij, njëri nga pronarët e një biznesi me vite të tëra gjendej në kërkim me fletarrestim, kurse në data-bazat e ATK-së personi i njëjtë dorëzonte deklarata elektronike në ATK.

“Një nga indikacionet që na ka vënë në dyshim, njëri nga pronarët e biznesit kishte vite që ndodhej nën urdhra të fletërreshtimit të lëshuar nga prokuroria, në anën tjetër data-baza jonë “Siktas” na tregonte se ky person me fletarrestim vazhdimisht po dorëzon deklarata elektronike në ATK”- tha dëshmitari.

Mehmeti tregoi se në vendin ku ky ishte duke udhëhequr operacionin, ekipet hetuese kishin hasur në një incident të vogël.

Punëtori i një kompanie ishte zënë në flagrancë duke alarmuar shoferin e një makine për të mos e sjellë mallin në objektet ku kryhej hetimi.

“Ka qenë një incident i vogël ku zyrtarët policorë asistues kanë vërejtur se njëri nga punëtorët e kompanisë po dërgon mesazh përmes telefonit, me porosi: “Largoje mallin se këta po kontrollojnë!” ose diçka të ngjashme. Zyrtari policor ia ka marrë telefonin, e kemi verifikuar që mesazhi ka qenë i destinuar drejt një vozitësi – punëtor i kompanisë, me porosi: Largoje kombin!” – tha dëshmitari.

Në këto rrethana, gjyqtari i vetëm gjykues Shaqir Idrizi pas kërkesës së të akuzuarit Dushan Vasiq se i njëjti ka një termin në ambasadë e që i duhet të shkojë, e ndërpreu seancën për të vazhduar më 31 korrik. Prokurori i këtij rasti ishte Avdullah Abedini.

Sipas aktakuzës së siguruar nga KALLXO.com, e cila është ngritur më 5 maj 2020, 6 persona janë të akuzuar. Të akuzuarit janë: Ekrem Hyseni, pronar i “Bibaj” Sh.P.K. me seli në Ferizaj, Valdete Hyseni- Fazliu, pronare e biznesit “Bibaj-ae” Sh.P.K. me seli në Graçanicë,  Dushan Vasiq, pronar i biznesit “Invest-plast” Sh.P.K.,  Nenad Bojkoviq, pronar i biznesit “P.P. DMD”, Herolind Elezi, pronar i biznesit “Koto-lind” Sh.P.K. dhe Shaban Ismajli, kontabilist.

Aktakuza thotë se Ekrem Hyseni në cilësinë e pronarit të biznesit “Bibaj” Sh.P.K., gjatë viteve 2012, 2013 dhe 2014 ka bërë transaksione, në fakt pagesa fiktive, duke bërë blerje e shitje fiktive me qëllim të shmangies nga tatimi.

Sipas prokurorisë, këto blerje e shitje fiktive janë bërë me bizneset “P.P. D.M.D”, “Metal Pro” dhe “Simonida”.

Sipas aktakuzës, shmangia nga tatimi mbi vlerën e shtuar dhe tatimi mbi të ardhurat e korporatës është bërë në vlerë prej rreth 455,208.10 euro.

Tutje sipas prokurorisë, i njëjti ka shmangur pagimin e tatimit për biznesin “Newco Mulliri Fabrika e Bukës” Sh.P.K. në shumën prej rreth 39,676.00 euro.

Valdete Hyseni- Fazliu akuzohet nga Prokuroria se gjatë vitit 2015, 2016 e deri në fund vit të 2017, në cilësinë e pronares së biznesit “Bibaj-AE” Sh.P.K., ka bërë shmangie tatimore përmes transaksioneve fiktive.

Në aktakuzën e prokurorisë thuhet se këto transaksione fiktive janë bërë prej kompanisë “Invest-Plast” Sh.P.K. pa blerë mallra. Shmangia e tatimit mbi vlerën e shtuar si dhe tatimit mbi të ardhurat e korporatave nga e pandehura, sipas prokurorisë vlerësohet të jetë në vlerë prej 532,568.67 euro.

Tutje si i akuzuar në dosjen e Prokurorisë figuron të jetë edhe Dushan Vasiq, i cili akuzohet se ka kryer veprën penale dokumentet e rrejshme lidhur me tatimin.

I pandehuri Vasiq, sipas aktakuzës ka lëshuar fatura tatimore të rrejshme për kompaninë “Bibaj AE”  me qëllim që biznesi i specifikuar t’i shmanget detyrimeve tatimore dhe i ka ndihmuar këtij biznesi në përfitime jo të rregullta tatimore në vlerë të shtuar dhe tatim mbi të ardhurat e korporatave.

Kurse Herolind Elezi akuzohet për ndihmë në kryerjen e veprës penale – dokumente të rrejshme. Akti akuzues i Prokurorisë specifikon se vepra penale është kryer gjatë gjithë pesë viteve 2012-2017.

Elezi si pronar në biznesin “Konto- Lind” Sh.P.K. akuzohet se në cilësinë e kontabilistit, për përfitime qoftë për vete apo për të tjerët ka lëshuar dokumente të rrejshme.

I pandehuri akuzohet se ka plotësuar deklarata tatimore për biznesin “P.P D.M.D”, pa pasur autorizimin e pronarit të kësaj kompanie. Pagesat në anën tjetër janë kryer nga pronari i kompanisë “Bibaj” Sh.P.K., Ekrem Hyseni.

Pronar i kompanisë “P.P D.M.D” është Nenad Bojkoviq, për të cilin lënda është veçuar.

Kurse Shaban Ismajli gjatë vitit 2015 deri më 2017 si përfaqësues i biznesit N.T.Sh “Petriti Consulting”, në cilësinë e kontabilistit, akuzohet nga prokuroria se me qëllim të përfitimit për vete dhe për të tjerët ka lëshuar dokumente të rrejshme tatimore. Ismajli ka plotësuar dhe dorëzuar deklarata tatimore të biznesit “Invest-Plast”, pronë e të pandehurit Dushan Vasiq. Ismajli sipas aktit akuzues thuhet të ketë qenë në dijeni lidhur me transaksionet fiktive.

Me këtë veprim Ismajli akuzohet se ka kryer veprën penale ndihma në kryerjen e veprës penale – dokumentet e rrejshme lidhur me tatimin.

Lidhur me vjedhjet tatimore të këtyre viteve u hetuan edhe zyrtarë të ATK-së ndaj të cilëve edhe u ngrit aktakuzë në 2016, por aktakuza nuk u vërtetua në gjykatë.