Presin Veselin, Flasin për Thaçin

Veseli vizitoi Gjilanin, ndërsa u prit nga Zenun Pajaziti, kreu i PDK-së në Gjilan dhe përfaqësues të kësaj partie nga Vitia, kamenica dhe Novobërda.

Pajaziti në fillim tha fjalë të mira për ish-kryetarin e PDK-së Hashim Thaçin.

“Partia Demokratike e Kosovës këto ditë si kurrë më parë ka nevojë të tregojë pjekurinë e saj politike. Pjekuria e saj politike tregohet me fazën e tranzicionit, ne sot këtu s’kemi si të mos e përmendim liderin historik Hashim Thaçi,” tha Pajaziti.

Ai pastaj e lavdëroi edhe kontributin e Veselit në luftë dhe pas saj.

“Po ashtu edhe zotëri Kadri Veseli vjen po e nga njëjta gjeneratë, po i nga i njëjti rreth i njerëzve që kanë shënuar me angazhimin e vet personal dhe kanë dhënë vulën për liri për këtë vend, për ndërtimin e pasluftës. Janë dhe mbeten njerëzit më meritorë për fitoren e partisë dhe fitorën e Kosovës në gjitha betejat para dhe pas luftës,” tha Pajaziti.

Veseli që është njëri nga kandidatët për kryetar të PDK-së, pozitën që kishte Thaçi para se të bëhej President, i “dha bekimin” Pajazitit që të kandidojë për kryetar të Gjilanit në zgjedhjet lokale të vitit 2017.

Me Veselin në Gjilan ishin edhe Fehmi Mujota, Enver Hoxhaj e Elmi Reçica.

Edhe nënkryetari i PDK-së Enver Hoxhaj përmendi ish-kryetarin Thaçi.

“Me mënyrën që zoti Thaçi vendosi që të largohet prej partisë dhe të bëhet President, ti shërbejë vendit, vendosi një standard të ri dhe për dy muaj kemi vendos një standard të parë dhe një standard të dytë, këtë standard [të dytin] e ka vendosur vetë zoti Veseli, meqë ne si kryesi e partisë vendosëm që ta mandatojmë z.Veseli për kryetar,” tha Hoxhaj.

Ai zgjedhjet për kryetar të PDK-së që pritet të mbahen më 7 maj i konsideroi demokratike.

“Gara e partisë demokratike, është garë demokratike, e hapur dhe transparente,” tha Hoxhaj.

Për kandidaturën e tij dhe PDK-në foli edhe Kadri Veseli.

“Kushdo që kandidon jam i sigurt që PDK-ja ka rrënjë shumë të forta , ka zhvillim shumë të fuqishëm dhe ka përvoje të jashtëzakonshme në Republikën e Kosovës dhe jo vetëm me qeveris vendin, por në të njëjtën kohë me i bo ballë çdo sfide,” tha Veseli.