Shefi i AKI-së, Driton Gashi, para Komisionit parlamentar - Foto: KALLXO.com

Përfundon Takimi ‘Njoftues’ me Shefin e AKI-së

Ka përfunduar takimi mes shefit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Driton Gashi, dhe anëtarëve të Komisionit parlamentar për mbikëqyrjen  e AKI-së.

Anëtari i Komisionit, Anton Quni, tha se ky takim nuk ishte i natyrës së raportimit, por më shumë ishte i karakterit të njoftimit të shefit të AKI-së me anëtarët e Komisionit, të cilët janë pa përvojë në këtë fushë.

“Edhe nga drejtori edhe nga anëtarët u tha se do të ketë bashkëpunim mes dy palëve. Është bërë një bisedë në përgjithësi”, tha deputeti Quni.

Ndërsa, anëtarja tjetër e Komisionit parlamentar, Ganimete Musliu, tha se ky ishte takimi i parë me drejtorin e AKI-së.

“E gjithë përbërja e Komisionit jemi për herë të parë sot. Takimi ka qenë më shumë njoftues. Diskutuam për mundësitë e bashkëpunimit. Nuk ka pasur raportim konkret. Herëve të ardhshme do të ftojmë edhe inspektorin për raportime”, tha Musliu.

Po ashtu, deputetja Musliu tha se siguria e vendit është në gjendje normale dhe se nuk ka asgjë për të cilën qytetarët duhet të bëhen “merak”.

Ndonëse u tha se ishte “njoftues”, takimi është mbajtur i mbyllur.