Foto: screenshot

Kryeministri Kurti takoi kryesuesin e OSBE-së, Ian Borg

Kryeministri Albin Kurti ka takuar të enjten, më 11.04.2024, ministrin e Punëve të Jashtme, Çështjeve Europiane dhe Tregtisë të Maltës, Ian Borg, në kuadër të vizitës së tij në Kosovë, në cilësinë e kryesuesit të OSBE-së.

Përmes një postimin në Facebook, Kurti ka thënë se Kosova vlerëson lart kontributin e vazhdueshëm pozitiv të OSBE-së në promovimin e qeverisjes demokratike në Kosovë.

“Kosova e vlerëson lart kontributin e vazhdueshëm pozitiv të OSBE-së në promovimin e qeverisjes demokratike në Kosovë si dhe rëndësinë e fuqizimit të bashkëpunimit tonë dhe rritjes së mbështetjes në forcimin e institucioneve tona, në sundim të ligjit, të drejta të njeriut dhe liri të mediave mes shumë të tjerash. Biseduam së bashku për mënyrat se si mund të bëjmë më mirë dhe më shumë në lidhje me projektet tona, duke patur vlera dhe qëllime të përbashkëta”- ka shkruar Kurti.

Kurti ka shkruar se vizita e shefit të OSBE-së është e veçantë dhe kontribuon në thellimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe OSBE-së.

Kryesuesi i radhës i OSBE-së, ministri i Punëve të Jashtme, Çështjeve Europiane dhe Tregtisë së Maltës, Ian Borg, ka zhvilluar sot një vizitë në Kosovë. Gjatë kësaj vizite, Ian Borg është takuar me presidenten Vjosa Osmani dhe zëvendëskryeministren dhe ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla-Scwarz.