Anëtarësimi i Kosovës në KiE, ndër temat e diskutuara në takimin e Osmanit me emisarin britanik

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur  në takim të dërguarin e posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Lordin Stuart Peach, të enjten më 04.04.2024.

Në një komunikatë për media nga Presidenca u bë e ditur, senë takim u diskutua për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës, zhvillimet e fundit në vend dhe rajon, si dhe mbi sfidat e sigurisë në rajon dhe përtej.

Në temën e Këshillit të Europës, Osmani ka theksuar se anëtarësimi i Kosovës do të ishte triumf për demokracinë dhe për të drejtat e njeriut jo vetëm në Kosovë, por në mbarë Evropën.

“Tutje, Presidentja Osmani ritheksoi se përmes mekanizmave të ndryshëm që i ofron Këshilli do të mundësohej mbrojtja dhe garantimi i të drejtave të të gjithë qytetarëve të Kosovës, pa dallim”- thuhet në njoftim.

Presidentja gjithashtu shprehu mirënjohjen dhe ritheksoi rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar në këtë drejtim, sikurse në çdo proces tjetër të anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.

Në takim sipas kumtesës, u diskutua edhe për situatën e sigurisë, me theks të veçantë në veriun e vendit.

Këshilli i Europës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Europë, me seli në Strasburg të Francës.

Kjo organizatë luan rol të rëndësishëm në procesin e zgjerimit të Bashkimit Europian duke mbështetur vendet e interesuara në kryerjen e reformave në përputhje me standardet e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe shtetit të së drejtës, për aq sa këto reforma janë të nevojshme për mbylljen e zgjerimit.

U themelua më 1949 dhe mbron lirinë e shprehjes dhe të mediave, barazinë dhe të drejtat e minoriteteve në vendet anëtare.

Organizata ndihmon vende të ndryshme në luftën kundër korrupsionit dhe terrorizmit dhe në zbatimin e reformave të nevojshme gjyqësore.