Kurti priti në takim Lord Stuart Peach, diskutojnë për sigurinë në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti priti në takim të dërguarin e Posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Lord Stuart Peach.

Sipas një komunikate për media, zhvillimet në rajon, me theks në sundimin e ligjit dhe sigurisë, ishin temë e diskutimit dhe e interesimit të përbashkët. Në këtë drejtim, Kurti është shprehur se ligjshmëria dhe siguria shkojnë bashkë.

Në njoftim bëhet e ditur se në takim u diskutua edhe për sigurinë në Kosovë, me ç’rast kryeministri theksoi rëndësinë e sigurisë së kufirit me Serbinë, prej nga sipas tij, edhe vjen agresioni ndaj Kosovës, siç edhe u dëshmua në shtatorin e vitit të kaluar.

“Gjatë bisedës, kryeministri Kurti gjithashtu ndau me Lord Peach reflektimet e tij për vizitën që kishte në Mbretërinë e Bashkuar dhe Irlandë, si dhe takimet në Irlandën e Veriut në fund të muajit shkurt të këtij viti. Ai falënderoi Lord Stuart Peach për mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar ndaj Republikës së Kosovës dhe bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe rolin aktiv të saj në fushën e sigurisë”- thuhet në kumtesë.

Zyra e Kryeministrit ka rikujtuar se në përgjigje të sulmit terrorist dhe paramilitar me 24 shtator të vitit të kaluar në Banjskë, në tetor të vitit të kaluar Mbretëria e Bashkuar mori vendim për dislokimin e 200 ushtarëve shtesë nga Regjimenti Mbretëror i Batalionit të Parë të Princeshës së Uellsit, që ju bashkuan misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.