PDK e Shpall të Mbyllur Transicionin në Parti

Zëdhënësi i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerand Stavileci, ka vlerësuar lartë mënyrën se si është organizuar transicioni në kreun e Partisë Demokratike të Kosovës.

Stavileci tha se konventa e shtatë e Partisë Demokratike nisi dhe përfundoi “në mënyrë madhështore”.

“Të gjithë konsiderojmë se edhe zhvillimet e fundit, organizimet e fundit dhe transicioni nëpër të cilin kaluam, përbën një shembull të shkëlqyer”, tha Stavileci.

Kadri veseli është zgjedhur kryetar i PDK-së të shtunën duke i dhënë fund kështu drejtimit 16 vjeçar të PDK-së Nga Hashim Thaçi i cili është zgjedhur në shkurt të këtij viti në postin e Presidentit të vendit.

Sipas Stavilecit, i cili është ministër i Zhvillimit Ekonomik në qeverinë e Kosovës, nëse shikohet transicioni nëpër të cilin ka kaluar, kuptohet sa dallon Partia Demokratike e Kosovës nga partitë e tjera.

Ai thotë se ajo çka e karakterizoi PDK-në në kohët e fundit është transicioni demokratik modern e triumfues, duke kaluar prej një kryetari në tjetrin.

“Konsiderojmë se PDK-ja edhe në këtë aspekt ka ngritur për një nivel më lartë standardet në kuadër të demokracisë në vendin tonë dhe vetëm brenda dy muajve ka dhënë dy shembuj të tillë, pra të një tranzicioni demokratik dhe modern”, shtoi Stavileci.

Stavileci tha se dy shembujt sa i përket transicionit janë presidenti Hashim Thaçi dhe tani kryetari i PDK-së Kadri Veseli.

Sa i përket koalicionit qeverisës, Stavileci tha se kjo çështje nuk është ndonjë urgjencë.

“Nuk është se vetëm brenda një dite ose përbrenda një akti do të bisedojmë për një çështje të rëndësishme për sa i përket koalicionit por ky është një proces i vazhdueshëm dhe sigurisht kohë pas kohë vazhdimisht do të ketë rifreskime”, shtoi Stavileci.

Stavileci foli edhe për kandidaturën e vetme për kryetar të PDK-së. Me këtë rast, ai tha se tashmë kryetari Kadri Veseli gjatë gjithë kohës ka kërkuar që të ketë kundërkandidat.