Behgjet Pacolli - Foto: REL/EPA-EFE

Pacolli dënon sulmin ndaj autobusit të kompanisë 'Barileva' në Serbi

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli e ka dënuar sulmin me mjete të forta ndaj autobusit të kompanisë kosovare ‘Barileva’ derisa po kalonte transit nëpër Serbi.

Pacolli është shprehur se një veprim i tillë duhet të dënohet urgjentisht nga BE-ja dhe komuniteti ndërkombëtar.

“Sulmi, me mjete të forta, por fatmirësisht pa lëndime në njerëz, që sot ka ndodhur ndaj një autobusi të një kompanie kosovare, përderisa po kalonte transit nëpër territorin e shtetit fqinj – Serbisë është i papranueshëm dhe duhet të dënohet urgjentisht nga BE-ja, komuniteti ndërkombëtarë dhe vetë Institucionet e rendit dhe Ligjit në Serbi”, ka shkruar Pacolli në Facebook.

Ministri i Jashtëm më tej ka shtuar se institucionet sigurisë të Serbisë duhet të marrin mësim nga profesionalizmi, përkushtimi dhe përgjegjësia e Policisë së Republikës së Kosovës ndaj të gjithë shtetasve dhe qytetarëve, që jetojnë në Republikën e Kosovës.

Foto: Behgjet Pacolli/Facebook