Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Behgjet Pacolli tregon si ra në kontakt me Naim Murselin dhe emërimin e tij si këshilltar

Biznesmeni dhe kryetari i AKR-së Behgjet Pacolli përmes një shkrimi ka treguar se me këshilltarin e tij, Naim Murseli, tashmë i dyshuar për pjesëmarrje në vrasjen e gruas së tij, Liridona Ademaj-Murseli ka treguar se atë e njeh prej vitesh kur Murseli i ishte afruar pas një sëmundje që kishte përjetuar.

Pacolli shtoi se e ka ndihmuar në disa iniciativa biznesi.

“Naim Murselin e njoh prej vitesh, duke filluar nga momenti kur ai m’u ofrua si adoleshent, pas një sëmundje qe kishte perjetuar. Ai ka qenë pjesë e entourazhit tim që nga atëherë. Ndër vite, ka shfaqur interes për iniciativat e mia në median sociale dhe kam pasur mundësinë të ndihmoj në disa iniciativa biznesi që ai kishte nisur që nga viti 2019”- ka shkruar Pacolli.

Ai shtoi se gjatë mandatit si Ministër i Punëve të Jashtme, Murseli ka qenë pjesë e përcjelljes së shumë figurave politike nga Suedia.

“Gjatë mandatit tim në MPJ, kam pritur figura politike (deputetë e kryetarë komunash nga Suedija), ku ai ka qenë pjesë e përcjelljes së tyre. Kështu lindi ideja, me kërkesën e tij, për ta nominuar si bashkëpuntor (këshilltar) të jashtëm (pro bono) gjatë mandatit tim në qeveri.  Përveç kësaj, kam ruajtur një marrëdhënie të mirë me familjen e tij. Madje, une dhe shoqja ime ishim kumbarë të djalit të tyre. Liridona kishte miqësi me familjen time”- shtoi tutje Pacolli.

Ai tha se nuk ka pasur dijeni për ndonjë precedent konflikit për Naim Murselin dhe se nuk do e mendonte që ai do përundonte në këtë akt, sipas tij, tmerrues.

“Tragjedia e fundit më ka prekur thellë, dhe bashkëndjejmë në dhimbjen e familjes së Liridonës dhe fëmijëve. Nuk kam pasuar dijeni për ndonjë precedent konflikti për Naimin. Jam i prirur të besoj vetëm në anën pozitive të njerëzve dhe nuk do të mendoja kurrë se ai do të përfundonte në një akt kaq tmerrues”- është shpehur tutje Pacolli.

Behgjet Pacolli më tej shtoi se ka mbajtur heshtje këto ditë si shenjë respekti për vuajtjet e familjes së Liridonës.

“Gjithashtu, dua të përsëris se çdo individ është përgjegjës për veprimet e veta, dhe drejtësia duhet t’u tregojë secilit vendin e merituar”- ka shkruar tutje Pacolli.

Naim Murseli dhe dy personat tjerë të dyshuar për përfshirje në vrasjen e Liridona Ademaj-Murseli do dalin nesër para gjykatës ku tashmë Prokuroria Themelore ka përpiluar kërkesën për masën e paraburgimit për tre të dyshuarit.

Vrasja e Liridona Murselit, Prokuroria: Kërkesa për masë të paraburgimit ndaj tre të dyshuarve brenda afatit do t`i dorëzohet gjykatës