Vrasja e Liridona Murselit, reagon Pacolli pas arrestimit të ish-këshilltarit të tij

Deputeti i Kuvendit të Kosovës dhe biznesmeni Behgjet Pacolli ka reaguar në lidhje me vrasjen e Liridona Murselit, gruaja e ish-këshilltarit të tij, Naim Murselit.

KALLXO.com pak më parë raportoi se në lidhje me këtë rast janë arrestuar dy persona të dyshuar, e që njëri prej tyre mësohet se është Naim Murseli.

Pacolli tha se është i tmerruar dhe i tronditur nga vrasja e Liridonës, të cilën ai thotë se e ka njohur personalisht.

“Sot, fëmijët dhe familja kanë varrosur Liridonën, një vajzë dhe nënë të re e cila u vra mizorisht. Jam ende i tmerruar dhe i tronditur nga vrasja e Liridonës, të cilën e kam njohur personalisht. Sot dhe çdo ditë, lutjet dhe mendimet e mia janë me fëmijët dhe familjen e Liridonës”- ka shkruar Pacolli.

Deputeti ka përgëzuar Policinë e Kosovës për punën që po bëjnë në zbulimin e rastit, porse Pacolli nuk ka pasur një reagim për arrestimin e ish-këshilltarit të tij.

“I përgëzoj Policinë e Kosovës për punën e madhe dhe profesionale që po bëjnë për zbulimin e rastit. Kushdo qoftë mbrapa këtij akti të tmerrshëm dhe makabër ( akt i pa parë ne traditën tonë), duhet të dalë para drejtësisë dhe të merr dënimin maksimal për këtë. Sot, dy fëmijë janë pa nënën e tyre, të cilës jeta u mor në rininë e saj. E pabesueshme dhe e trishtueshme”- ka thënë Pacolli.

Policia e Kosovës ka njoftuar se pas përfundimit të ekzaminimit të vendit të ngjarjes, janë ndërmarrë veprimeve intensive hetimore të cilat kanë rezultuar në arrestimin e dy personave të dyshuar  lidhur me rastin.

Në njoftim bëhet e ditur se, njësiti i hetimeve të përgjithshme të Prishtinës në koordinim me Prokurorinë është duke e vazhduar operacionin e bastisjes në dy lokacione në Gjakovë.

Një grua ka mbetur e vdekur si pasojë e të shtënave më armë zjarri më 29 nëntor rreth orës 20:20 në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë.

Rasti sipas Prokurorisë është cilësuar si grabitje me pasoja vdekjeje.

Arrestohet Naim Murseli, dyshohet në rastin e vrasjes së gruas së tij