Raporti i Kongresit Amerikan, Pacolli me zyrtarë të tjerë shpenzuan rreth 5,000 euro në hotelin e Trumpit në 2018-tën

Arabia Saudite dhe Kina ishin ndër 20 qeveritë e huaja që shpenzuan rreth 7.8 milionë dollarë në total në pronat e ish-presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, gjatë kohës sa ai ishte president, thuhet në një raport të publikuar nga Partia Demokratike në Kongresin Amerikan.

Raporti prej 156 faqësh zbulon se krahas Kinës dhe Arabisë Saudite, entitete të lidhura me shtetin nga Kongoja, Malajzia, Shqipëria dhe Kosova shpenzonin para në hotelet dhe apartamentet e Trumpit. Hetimet mbështeten në dokumentet e marra nga Mazars, ish-firma e kontabilitetit të Trump.

Në raport thuhet se gjatë administratës së Trump, Kosova u përpoq të përdorte mbështetjen e SHBA-së në mënyrë që të fitonte njohje më të madhe ndërkombëtare, përfshirë edhe nga Serbia fqinje.

Të dhënat e siguruara nga Mazars shpërfaqin se disa zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Jashtme, duke përfshirë zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Jashtëm të atëhershëm, Behgjet Pacolli, kanë qëndruar në hotelin Trump International në Uashington, DC, në korrik 2018, duke shpenzuar afro 5,000 dollarë në hotel.

“Të dhënat e Mazars tregojnë se disa zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, duke përfshirë zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Jashtëm të atëhershëm, Behgjet Pacolli, kanë qëndruar në hotelin Trump International në Uashington, DC, në korrik 2018, duke shpenzuar afro 5,000 dollarë në hotel. Postimet në rrjetet sociale tregojnë se zyrtarë të tjerë kosovarë e vizituan përsëri pronën më vonë në administratën Trump, por Mazars nuk i paraqiti Komitetit asnjë dokument në lidhje me atë vizitë”- thuhet në raport.

Raporti tregon se në atë kohë, Kosova përfundimisht nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi ekonomik me Serbinë në një ngjarje në Shtëpinë e Bardhë, kur presidenti i atëhershëm Trump kryesonte.

Hulumtimi thekson se nga data 25 korrik deri më 26 korrik të vitit 2018, Pacolli kishte qëndruar në hotelin Trump International në Uashington D.C., duke shpenzuar 990 dollarë, kurse zyrtarë tjerë të MPJ-së kishin qëndruar dy ditë më shumë se ish-ministri, duke shpenzuar 3,960 dollarë.

Më tej në raport thuhet se të dhënat nga Mazars tregojnë se Pacolli shoqërohej nga këshilltari i tij, Jetlir Zyberaj: “Të dy këta zyrtarë qëndruan në hotel edhe për ditë të tjera pasi rezulton se Pacolli ishte larguar. Së bashku, të gjitha dhomat e rezervuara nga zyrtarët kosovarë në hotel kushtojnë 4,950 dollarë”.

Në raport gjithashtu theksohet se afërsisht dy vjet më vonë, ministri i atëhershëm i Drejtësisë, Selim Selimi dhe ministrja e Jashtme e atëhershme kosovare, Meliza Haradinaj (pasuese e Pacollit) u takuan me ambasadorin Richard Grenell në Trump International Hotel në vitin 2020, afërsisht në kohën kur Serbia dhe Kosova nënshkruan marrëveshjen e normalizimit ekonomik në Shtëpinë e Bardhë e njohur si Marrëveshja e Uashingtonit.

Nga marrëveshja e Uashington-it, Kosova pati siguruar njohjen nga Izraeli, ndërsa për një vit stopoi lobimin për anëtarësim në organizata ndërkombëtare dhe njohje të reja.

Në dokumentin e marrëveshjes parashiheshin edhe disa projekte infrastrukturore, përfshirë atë që quhet “Autostrada e Paqes”, Beograd-Prishtinë, si dhe përmendet edhe çështja e Liqenit të Ujmanit, që gjendet në territorin e Kosovës dhe prekë atë të Serbisë.

“Të dyja palët do të pajtohen të punojnë me Departamentin Amerikan të Energjisë dhe subjektet e tjera të Qeverisë amerikane në një studim fizibiliteti, me qëllim të përdorimit të përbashkët të Liqenit të Gazivodës/Ujmanit, si furnizues i sigurt i ujit dhe energjisë”- thuhet në njërën pikë të dokumentit.

Në korrik të 2021-tës, partia e Hotit – Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), inicioi në Kuvendin e Kosovës një rezolutë përmes së cilës kërkohej kryeministrit Albin Kurti që të zbatojë marrëveshjen e Uashingtonit.

Megjithatë, Kuvendi nuk arriti që të miratojë këtë rezolutë, pasi për votuan 24 deputetë të LDK-së, ndërsa 57 deputetë të partisë në pushtet – Lëvizjes Vetëvendosje abstenuan.

Nënshkrimi i pavlerë: Marrëveshjet e pazbatuara Kosovë-Serbi ndër vite