OSBE Kërkon Hetime të Shpejta për Krimet Ndaj Gazetarëve

Në ditën ndërkombëtare kundër mosndëshkimit të krimeve ndaj gazetarëve Misioni i OSBE-së në Kosovë kërkoi reagime institucionale për veprat penale ndaj gazetarëve kosovarë.

Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadori Jan Braathu deklaroi se megjithëse ka përmirësim nga viti i kaluar, kërcënimet ndaj profesionistëve të medias në Kosovë vazhdojnë të mbesin shqetësuese.

“Deri në fund të shtatorit 2016, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës i ka regjistruar tetë raste të kërcënimeve apo sulmeve kundër gazetarëve. Derisa çfarëdo kërcënimi apo sulmi kundër profesionistëve të mediave të cilët janë duke e kryer detyrën e tyre është brengosës, po e theksojmë që ka një përmirësim në krahasim me 27 rastet e dhunës ndaj gazetarëve që kishin ndodhur gjatë vitit 2015”, tha Braathu.

Ai gjithashtu u bëri thirrje institucioneve të Kosovës që të merren seriozisht me sigurinë e gazetarëve dhe shqyrtimin e veprave penale të kryera ndaj tyre.

“Siguria e gazetarëve është parakusht për lirinë e fjalës dhe media të lira. Andaj, i inkurajoj institucionet që merren me veprat penale të kryera ndaj gazetarëve që të ofrojnë reagim sistematik, hetime të shpejta dhe shqyrtim me kohë të rasteve të tilla,“ tha Ambasadori Braathu”, deklaroi Braathu.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës kishte reaguar pas sulmit me mjet shpërthyes në shtëpinë e drejtorit të Radiotelevizionit të Kosovës.

http://kallxo.com/agk-sulmet-ndaj-gazetareve-te-hetohen-prioritet/