Foto: Presidenca e Kosovës

Osmani pas takimit me kryesuesin e OSBE-së: Anëtarësimi i Kosovës në institucionet euroatlantike, triumf për demokracinë

Ministri për Punë të Jashtme, Evropë dhe për Tregti i Maltës, njëherësh kryesuesi aktual i OSBE-së, Ian Borg, e nisi mëngjesin e së enjtes (11.04.2024) me takime zyrtare në Kosovë, me fokus marrëdhëniet mes dy vendeve, mbështetjen e OSBE-së ndaj Kosovës, anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës, si dhe për zhvillimet e fundit politike në rajon.

Pas takimit me homologen e tij në Kosovë, Donika Gërvalla- Schwarz, Borg takoi edhe presidenten, Vjosa Osmani.

Në komunikatën e lëshuar nga Presidenca thuhet se gjatë takimit u diskutua për bashkëpunimin e institucioneve të Kosovës me OSBE-në, përfshirë mbështetjen e OSBE-së në të kaluarën dhe bashkëpunimin aktual të kësaj organizate me institucionet vendore.

Presidentja Osmani, thuhet se u informua mbi prioritetet e ministrit Borg dhe Maltës si kryesues i sivjetmë i OSBE-së.

Në diskutim me ministrin Borg, presidentja Osmani ka thënë se Kosova vazhdon të jetë në ballë të progresit në rajon dhe më gjerë sa i përket forcimit të sundimit të ligjit dhe demokracisë si dhe promovimit të të drejtave të njeriut”- thuhet në komunikatë.

Osmani ka potencuar se anëtarësimi i Kosovës në institucionet euroatlantike do të ishte triumf për demokracinë dhe për të drejtat e njeriut jo vetëm në Kosovë, por në mbarë Evropën.

Ajo ka shprehur mirënjohjen dhe ka ritheksuar rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme të Maltës në këtë drejtim, sikurse në çdo proces tjetër të anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.

Borg, gjatë ditës do të takojë edhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.