Shefi i OSBE-së në Kosovë: Rasti i fundit i femicidit është një thirrje alarmi

Shefi i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE) në Kosovë, Michael Davenport ka reaguar në lidhje me vrasjen e gruas në Pejë, Gjyljeta Ukella nga i dyshuari bashkëshorti i saj, Edmond Lajçi.

Davenport ka thënë se ky rast i femicidit është një thirrje alarmi që të gjithë të ndërmarrin veprime për parandalim më efektiv dhe dënime më të ashpra ndaj autorëve.

“Rasti i fundit i femicidit është një thirrje alarmi. Kjo duhet t‘i tronditë të gjithë që të ndërmarrin veprime si: të ndryshojë mentalitetin, të sigurojë parandalim më efektiv dhe dënime më të ashpra ndaj autorëve, dhe të çrrënjosë posedimin e armëve të paligjshme, sipas raportit tonë të fundit”- ka shkruar Davenport në rrjetin social X.

OSBE së fundmi ka publikuar një raport me titull “Politika ndëshkimore në rastet e posedimit të paligjshëm të armëve.”

Ky raport ofron analizë të të dhënave nga rastet e posedimit të paligjshëm të armëve të mbledhura nga programi i monitorimit të gjykimeve të Misionit të OSBE-së në Kosovë nga muaji dhjetor 2020 deri në gusht 2023 dhe vlerëson praktikat e dënimit gjyqësor për pajtueshmërinë me gjykimin e drejtë dhe standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, me fokus të veçantë për dënime të drejta dhe të qëndrueshme.

Ndërkaq, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka marrë vendim që dita e nesërme, 17.04.2024, të shpallet ditë zie në Kosovë.

Ky vendim vjen pas vrasjes së dy grave brenda pesë ditëve të fundit, njëra në Ferizaj e tjetra në Pejë.

“Nesër do të jetë ditë zie shtetërore në Kosovë, por shoqëria jonë do të jetë në zi çdo ditë përderisa të ketë vrasje të grave dhe vajzave tona” – ka shkruar presidentja Osmani në Facebook.

Qyteti i Pejës është tronditur sot, më 16.04.2024, nga vrasja e një gruaje, nga i dyshuari- burri i saj, i cili është arrestuar nga Policia. Krimi dyshohet se u krye në banesën e çiftit në Pejë.

Gruaja që mbeti e vrarë në qytetin e Pejës, Gjyljeta Ukella, ishte e angazhuar si asistente e stomatologut në Poliklinikën Stomatologjike në Pejë.

Ndërsa të premten, më 12.04.2024 një 36 vjeçar, Valon Aliu, vrau ish bashkëshorten e tij, Erona Cokli, 21- vjeçare, në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj.

Vrasja e gruas në Pejë, bashkëshorti i saj dorëzohet në Polici