Foto: Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës

Gërvalla i flet kryesuesit të OSBE-së për rëndësinë që ka anëtarësimi i Kosovës në këtë organizatë

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla-Schwarz, gjatë takimit me kryesuesin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), njëherësh ministër i Jashtëm i Maltës, Ian Borg, ka theksuar rëndësinë që ka anëtarësimi i Kosovës në këtë organizatë.

Ajo ka shprehur gatishmërinë e Kosovës për fuqizimin e bashkëpunimit në projekte të reja të cilat si qëllim kanë demokratizimin, sigurinë dhe stabilitetin rajonal.

“Republika e Kosovës është shembull në rajon sa i përket demokratizimit, sundimit të ligjit, respektimit të të drejtave të komuniteteve joshumicë dhe si faktor stabiliteti, andaj anëtarësimi i Kosovës në OSBE do të forconte edhe më tepër rolin e OSBE-së në arritjen e objektivave të saj në Ballkanin Perëndimor” – citohet të ketë thënë ministrja Gërvalla, sipas komunikatës për media të lëshuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD).

Kosova ende nuk është pjesë e OSBE-së ngase për t’u bërë shtet anëtar nevojitet pajtimi i të gjitha shteteve pjesëmarrëse.

Këshilli i Përhershëm i OSBE-së mori vendim për themelimin e Misionit të OSBE-së në Kosovë në korrik të vitit 1999 – pak javë pas përfundimit të luftës në Kosovë.

Bashkëpunimi në demokratizim, sundim të ligjit, liri të mediave, avancim të të drejtave të komuniteteve joshumicë dhe siguria në Kosovë dhe rajon ishin temat kyçe në takimin mes dy homologëve.

Më tej sipas komunikatës, të dy ministrat folën edhe për Procesin e Berlinit, zbatimin e marrëveshjeve dhe hapat përshpejtues të integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian si alternativë e vetme për të ardhmen e rajonit duke ngritur në pah anëtarësimin sa më të shpejtë të Republikës së Kosovës në Këshillin e Europës.

Gjithasht, thuhet që Gërvalla e njoftoi homologun e saj edhe për situatën në veri të vendit, investimet e qeverisë së Kosovës në atë pjesë të vendit, respektimin e të drejtave të serbëve lokal dhe veprimet destabilizuese të Serbisë.

Në fund të takimit, ministrat Gërvalla dhe Borg u dakorduan për hapat e ardhshëm në koordinim të projekteve të përbashkëta.

Borg gjatë ditës takoi edhe presidenten Vjosa Osmani. Ndërsa në fund të ditës është planifikuar ta takoj edhe kryeministrin Albin Kurti.

Osmani pas takimit me kryesuesin e OSBE-së: Anëtarësimi i Kosovës në institucionet euroatlantike, triumf për demokracinë