
Kryetari Sali Asllanaj uron pjesëmarrësit e “Festarit” të një edicioni të kaluar – Foto: Komuna e Suharekës
Nis Edicioni i 15-të i ‘Festarit’
Në Suharekë sot nis edicioni i 15-të i “Festari”-t, një festë gjatë të cilës zhvillohen aktivitete të ndryshme kulturore, sportive, artistike e humanitare.
Në kuadër të kësaj feste të rinisë zhvillohen gara të ndryshme sportive, shfaqje teatrale, koloni të artistëve nga shtete të ndryshme, ngjarje bamirësie, revyja folklorike “Riza Bllaca”, etj.
Kryetari i Komunës, Sali Asllanaj, tha për KALLXO.com se “Festari” është një festë që e identifikon komunën e Suharekës në krejt Kosovën.
“Sivjet është 15 vjetori i organizimi të kësaj feste, e cila ka rrjedhur si një iniciativë e një grupi të të rinjve, pikërisht rreth shtëpisë së Fellbahut. Pikërisht këtë iniciativë e kemi marrë dhe e kemi kthyer në një vendim të Asamblesë Komunale”, tha Asllanaj.
Kryetari i Suharekës tha se me qëllim që “Festari” të mos varet nga struktura politike që vijnë në pushtet, Komuna me vendim të Asamblesë e ka nxjerrë në letër, me qëllim që çfarëdo administrate që vjen ta ketë për obligim organizmin e kësaj feste.
Sipas kryetarit Asllanaj, më meritorët për këtë festë janë të rinjtë që kanë marrë iniciativën për organizimin e kësaj feste në vitin 2002.
“Festari” mbahet në javën e fundit të muajit shtator.