Foto: Facebook

Në 14 vjetorin e themelimit, Kurti thotë se VV do ta mund PAN-in në zgjedhje

Lëvizja Vetëvendosje ka shënuar sot 14 vjetorin e themelimit të saj, ndërsa kryetari i saj, Albin Kurti është shprehur i bindur se në zgjedhjet e ardhshme ata do të dalin të parët.

Më 12 qershor 2005, disa aktivistë të asaj kohe kishin marrë aksion për të shkruar parulla në ndërtesën  të UNMIK-ut në atë kohë.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, lindjen e partisë që ai sot e drejton e sheh në këtë ditë.

“Kur çlirimi kishte mbushur 6 vjet, kurse Pavarësia po shtyhej prej viti në vit, lindi Lëvizja Vetëvendosje. 12 qershori është dita e çlirimit të Kosovës por edhe ditëlindja e Lëvizjes tonë. Para 14 viteve, në murin që ndante selinë e pushtetit të UNMIK-ut prej neve, që aso kohe konsideroheshim banorë t Kosovës, por jo edhe qytetarë, për herë të parë e kemi shkru parullën “Jo Negociata, Vetëvendosje” e pastaj vazhduam në të gjitha qytetet e fshatrat e Kosovës”, tha Kurti në një konferencë për media.

Duke folur për 14 vjetorin e themelimit të Vetëvendosjes, Kurti përmendi edhe idenë e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, duke e krahasuar me idenë e fundit të Presidentit Thaçi për bashkim.

“Jemi angazhuar dhe kemi argumentuar në vazhdimësi për afrimin dhe bashkimin me Shqipërinë. Për dallim nga disa që e kanë përfaqësuar këtë ide së fundi, nuk e shohim bashkimin e këtyre dy vënëve tona, përmes dobësimit e dështimit, por përmes forcimit e suksesit të tyre”, tha tutje Kurti.

Ai u shprehë i bindur se Lëvizja Vetëvendosje do të dal e para në zgjedhjet e ardhshme.

“Sot në Lëvizjen Vetëvendosje, kurrë s’kemi pasur më shumë anëtarë dhe kurrë s’kemi pasur më shumë mbështetje. Në zgjedhjet e ardhshme e mundemi PAN-in dhe dalim të parët”, tha Kurti në konferencë për media.