Pesë muaj nga sulmi terrorist në Banjskë - LVV: Qindra prova, ende asnjë aktakuzë nga Prokuroria Speciale

Lëvizja Vetëvendosje në pesë mujorin e sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit (24.09.2023) nga grupi i armatosur serb, thotë se pavarësisht provave ende nuk ka asnjë aktakuzë.

Vetëvendosje, që udhëheq me Qeverinë e Kosovës shkruan se ky sulm kishte për qëllim aneksimin e veriut.

“Deri tash janë shpalosur qindra prova dhe zbuluar pothuajse të gjithë pjesëmarrësit në atë sulm. Por, edhe pas gjithë këtyre muajve dhe provave ende nuk ka asnjë aktakuzë nga Prokuroria Speciale e Kosovës për këtë rast”- thuhet në postimin e Lëvizjes Vetëvendosje.

Në lidhje me kritikat e LVV-së, KALLXO.com ka dërguar pyetje në Prokurorinë Speciale dhe është në pritje të përgjigjes së tyre.

Më 24.09.2023 një sulm terrorist u krye në Banjskë të Zveçanit. Afrim Bunjaku, rreshter i Policisë së Kosovës, u vra, një polic tjetër u plagos e një tjetër u lëndua nga ky sulm, ndërsa Policia u sulmua disa herë radhazi nga grupi terrorist deri sa anëtarët e grupit ikën në drejtim të Serbisë.

Gjatë kundërsulmit nga Policia e Kosovës ishin vrarë së paku 3 pjesëtarë të grupit të udhëhequr nga Millan Radoiçiq.

Tre persona që dyshihen se kishin marrë pjesë në sulmin terrorist në Banjskë janë arrestuar dhe janë duke u mbajt në paraburgim në Kosovë.

Gjykata e Prishtinës ka konfirmuar për KALLXO.com më 23.02.2024 KALLXO.com se tre të dyshuarve për sulmin terrorist në Banjskë: Dushan Maksimoviq, Vladimir Toliq dhe Blagoje Spasojeviq, ua ka vazhduar paraburgimin edhe për 2 muaj.

Për mos ngritje të aktakuzave për sulmin në Banjskë, kryeministri i Kosovës Albin Kurti më 23.12.2023 kishte kritikuar sistemin Prokurorial të Kosovës.

“Ka pa numër fakte, dëshmi, pra të mjaftueshme për të ngritur aktakuza, Ky vit ishte vit i sulmeve kriminale, ka shpërputhje midis informacionit, fakteve dhe aktakuzave në anën tjetër. Dhe, ky hendek nuk mund të mbushet nga Qeveria, i takon Prokurorisë, unë jam për të ndihmuar, dhe ata për të punuar”- pati thënë Kurti në një konferencë për media.

Në po të njëjtën ditë(23.12.2023), Këshilli Prokurorial i Kosovës i pati reaguar Kurtit duke i kërkuar të mos përzihet në institucionet e pavarura.

“Përmes këtij reagimi publik, KPK-ja i bënë thirrje Kryeministrit Kurti që të qëndrojë larg institucioneve të sistemit prokurorial dhe të mos ndërhyjë në institucionet e pavarura kushtetuese, siç është Prokurori i Shtetit, për të tentuar të linçojnë publikisht çdo gjë që ka të bëjë me institucionin e Prokurorit të Shtetit dhe punën e prokurorive dhe prokurorëve të shtetit, ngaqë si të tilla përbëjnë shkelje të patolerueshme në punën e pavarur të institucioneve prokuroriale” – thuhej në reagim.

Më 16.02.2024, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka informuar publikun se emrat e të gjithë të dyshuarve për sulmin në Banjskë janë vendosur në sistemin e urdhër-arrestit ndërkombëtar të INTERPOL-it.

“Ky është një hap i rëndësishëm dhe si i tillë ka efektin e plotë atëherë kur Serbia e cila është duke strehuar dhe akomoduar këta terroristë, i dorëzon tek autoritetet tona për t’u përgjigjur para drejtësisë” – ka shkruar ministri Sveçla në Facebook më 16.02.2024.

Më 06.12.2023 u raportua se INTERPOL-i  ka lëshuar fletarrest ndërkombëtar ndaj Millan Radoiçiq për terrorizëm rreth sulmit të 24 shtatorit në Banjskë.

Ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, e ka marrë përgjegjësinë për ngjarjet në Banjskë të Zveçanit.

Sulmi terrorist në Banjskë, INTERPOL lëshon fletarrestim për Millan Radoiçiqin

Sveçla: Emrat e të gjithë të dyshuarve për sulmin në Banjskë janë vendosur në sistemin e INTERPOL-it

Sulmi terrorist në Banjskë – Vendimi i fundit i gjykatës për tre të paraburgosurit

Sulmi në Banjskë, Kurti kritikon Prokurorinë e Shtetit që s’ngriti aktakuza

KPK reagon ndaj deklaratave të Kurtit për Banjskën: Rri larg e mos ndërhyj në sistemin prokurorial!