Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës - AGK. FOTO: AGK/Facebook.

Disa organizata e dënojnë ashpër ndërhyrjen e LVV-së në punën e KPM-së

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës, juristja e së drejtës së medias, Flutura Kusari, Lëvizja FOL, Instituti i Kosovës për Drejtësi, organizatat “Çohu”, INPO, Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion (QIKA), Instituti i Prishtinës për Studime Politike (PIPS), Instituti Musine Kokalari, e kanë dënuar ashpër ndërhyrjen politike në punën e Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM).

Përmes një reagimi të përbashkët, ata kanë thënë se e kanë përcjellë me shqetësim të thellë mbledhjen e jashtëzakonshme të Komisionit për administratë publike, pushtet lokal, media dhe zhvillim rajonal në Kuvendin e Kosovës, e cila është mbajtur sot.

KPM ka raportuar para Komisionit për media pas vendimit për rikthimin e kanaleve televizive “Arena Sport”, të marrë më 6 shkurt.

Sipas KPM, vendimi është marrë pasi kanë ndryshuar rrethanat e këtij rasti, duke përmendur kërkimfaljen nga operatori, garancinë se nuk do të përsëritet më një gjë e tillë dhe “është marrë mësimi i duhur”.

Këto kanale kishin shfaqur mesazhe e thirrje mbështetëse për terroristët e vrarë serbë më 24 shtator 2023 në Banjskë, ndërsa KPM më 3 tetor 2023 kishte vendosur t’i pezullojë ato.

Mirëpo, vendimi i fundit i KPM-së u kritikua nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje pjesë e këtij Komisioni, të cilët kërkuan edhe shkarkimin e anëtarëve të KPM-së.

Deputeti i LVV-së, Besim Muzaqi, në fjalën e tij tha se po të ishte në vend të anëtarëve të KPM-së do të ndjehej i turpëruar.

“A ka shkelje më të madhe të interesit të qytetarëve dhe rendit jurifik dhe kushtetues të vendit, kur një provajder në kontentin e vet promovon terrorizmin dhe mbron terroristët të financuar dhe mbështetur nga Serbia dhe ju mjaftoheni me një kërkim falje, nuk e di a mjaftohet familja e Afrim Bunajkut me kërkimfaljen… Me qenë në vend të juajin isha ndje fort i turpëruar”- ka thënë mes të tjerave Muzaqi.

Ndaj kësaj ka reaguar Jeton Mehmeti, kryetar i bordit të KPM-së, i cili u drejtua anëtarëve të komisionit që të kenë kujdes nga gjuha e urrejtjes.

“Të keni kujdes nga gjuha e urrejtjes ndaj anëtarëve të KPM-së, ndaj këtij institucioni. Ai tha se po krijohet një situatë sikurse ne e kemi krijuar atë sulm”- ka thënë Mehmeti.

Në anën tjetër, sipas AGK dhe pjesës tjetër të reaguesve, në këtë mbledhje të jashtëzakonshme nuk ishte përcaktuar agjenda e takimit dhe as nuk u ishte komunikuar ndonjë agjendë anëtarëve të KPM-së, të cilët ishin ftuar në raportim, mediave, organizatave të shoqërisë civile dhe publikut të interesuar lidhur me monitorimin e kësaj mbledhjeje të Komisionit.

“Në mbledhjen që zgjati rreth katër orë, deputetët e LVV-së në kundërshtim me Kushtetutën, Ligjin për KPM, praktikat dhe standardet ndërkombëtare që promovojnë pavarësinë institucionale të mekanizmave të tillë, ushtruan presion publik të paprecedent ndaj anëtarëve të KPM-së lidhur me miratimin e vendimeve që hyjnë në fushëveprimtarinë e këtij institucioni të pavarur kushtetues” – thuhet në reagimin e tyre.

Ata janë shprehur se sjellja e partisë në pushtet prodhon mosbesim të qytetarëve në institucionet e pavarura dhe në punën e KPM-së.

“Dëgjimi “mbikëqyrës” i deputetëve të Kuvendit të Kosovës i përcjellur me sulme dhe etiketime ndaj anëtarëve të KPM-së, përveç se ka shkelur pavarësinë institucionale, po ashtu ka cenuar edhe integritetin dhe dinjitetin personal të anëtarëve të këtij institucioni kushtetues. Dëgjimi “mbikëqyrës” ishte manifestim i drejtpërdrejtë i ndërhyrjes politike nga ana e LVV-së në pavarësinë e anëtarëve të KPM-së me qëllim të frikësimit të tyre, denigrimit publik dhe shtrimit të rrugës për shkarkimin e tyre” – kanë theksuar organizatat në reagim.

Tutje, sipas tyre, ndërhyrja e Lëvizjes Vetëvendosje duhet të shihet si sulm në pavarësinë e një institucioni që Kushtetuta e parasheh të jetë i pavarur dhe përgatitje e kapjes politike në tërësi nga kjo parti, posa të kompletohet korniza ligjore në Kuvend.

“Sipas Kushtetutës dhe ligjit, anëtarët e KPM-së i marrin vendimet në mënyrë të pavarur dhe duke u bazuar në profesionalizëm, njohuri dhe bindje të tyre. Vendimet e KPM janë subjekt i të drejtës për ankesë përfshirë të drejtën për të shfrytëzuar mjetet juridike në gjykatë të garantuara me Kushtetutë dhe ligj” – thuhet në mes tjerash, në reagimin e publikuar nga AGK.

Teksa kanë shprehur mbështetjen e tyre të plotë ndaj anëtarëve të KPM-së, ata i kanë ftuar deputetët e LVV që t’i ndalin sulmet e tilla që cenojnë pavarësinë e këtij institucioni dhe të përmbahen nga komentimi publik apo në Kuvend i vendimeve të tij.

“Po ashtu, i bëjmë thirrje Komisionit për Media që projektligjin problematik për KPM-në, i cili parasheh kontroll shtetëror për media, ta trajtojnë duke adresuar kërkesat e shoqërisë civile dhe standardet e Këshillit të Evropës dhe Organizatës për Bashkëpunim dhe Siguri në Evropë” – kanë përfunduar në reagimin e përbashkët.