MKRS ndan 12 mijë euro për Majlinda Kelmendin

Medalistja e artë olimpike , Majlinda Kelmendi do të ketë pagën 1 mijë euro për vitin 2018, gjegjësisht rreth 300 euro më pak se Ministri i Sportit.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, sot ka nënshkruar memorandum bashkëpunimi me xhudisten Majlinda Kelmendi, për mbështetje financiare të sportistes në vlerë prej 12 mijë euro.

Në njoftimin që ka dërguar Ministria e Sportit, thuhet se paga që medalistja olimpike do të marrë nga shtetit i Kosovës është e përafërt me pagën e Minstrit.

“Qëllimi i mbështetjes financiare të xhudistes Majlinda Kelmendi bëhet për realizimin e objektivave dhe synimeve për vitin 2018 duke bazuar në politikat programore të sportit për avancimin e sportit cilësor dhe zhvillimin e aktivisteve sportive të karakterit ndërkombëtar brenda dhe jashtë vendit”, thuhet në njoftim.

Në njoftim thuhet se xhudistja Majlinda Kelmendi falënderoi ministrin Gashi për mbështetjen e vazhdueshme që MKRS-ja po jep jo vetëm për të personalisht por edhe për xhudistët tjerë të Kosovës.

Ajo po ashtu premtoi se Kosovës do t’i sjellë edhe medalje tjera dhe me punën e saj emrin e shtetit tonë do ta afirmojë edhe më shumë.

Xhudistja Majlinda Kelmendi fitoi medaljen e artë në kategorinë 52 kilogramë në Lojërat Olimpike Rio 2016 duke ia sjellë Kosovës kurorën e suksesit që në debutim në këtë garë.

http://kallxo.com/ar-linda/