Ramiz Lladrovci dhe Selman Mehani, foto:Facebook, 17 shtator 2021

Ish-kandidati i PDK-së për asamblist zgjidhet zëvendësdrejtor i QKMF-së në Drenas

Selman Mehani, ish-kandidati për asamble nga radhët e partisë në pushtet në Drenas, PDK, është zgjedhur më i suksesshmi në një konkurs së fundmi të Komunës së Drenasit, e cila udhëhiqet po nga kjo parti. 

Mehani me 74.5% të pikëve është zgjedhur kandidati më i suksshëm në konkursin për zëvendësdrejtor në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Drenas. 

Komuna e Drenasit udhëhiqet nga Ramiz Lladrovci i PDK-së. 

Në listën e Lladrovcit, në zgjedhjet e vitit 2021, Mehani mbante numrin 33 për të fituar ulëse për asamblen e Drenasit. 

Por, 243 vota nuk mjaftuan që Mehani të merrte këtë pozitë. 

Konkursi i Komunës së Drenasit për zv/drejtor të QKMF-së është hapur më 07.02.2024. Përderisa, njoftimi për kandidatin e suksshëm është publikuar më 29.03.2024.

Për këtë pozitë kanë aplikuar edhe dy kandidatë të tjerë.

Ky konkurs ishte anuluar një herë, 18.01.2024, për shkak se nuk ishin tre kandidatë në garë që i plotësojnë kriterët, ishin vetëm dy e mes tyre edhe Selman Mehani. 

Sipas Udhëzimit Administrativ për rregullimin e procedurave të konkursit në sektorin publik, neni 6 paragrafi 5, pika 5.1, duhet të ketë së paku tre kandidatë të cilët i plotësojnë kriteret e parapara me konkurs.

Megjithatë, Ramiz Lladrovci, kryetari i Komunës thotë se Mehani ka karrierë të begatë profesionale, të njohur në komunë e më gjerë, dhe shtoi se nuk beson të ketë pasur ndikim kandidatura e tij partiake për këtë vend pune.

“Lidhur me emërimin e Dr. Mehanit zv. Drejtor i QKMF-së, duhet parë procedurat e mëhershme, sepse, në konkursin e parë, nuk kishte aplikuar asnjë kandidat tjetër, në konkursin e shpallur për herë të dytë, ka pasur konkurrencë, me ç’rast, Komisioni ka përzgjedhur këtë kandidat” – ka thënë Lladrovci. 

Lladrovci ka konsideruar se “puna e drejtorit e zëvendës drejtorit në QKMF, është mosmirënjohëse, me hezitime për të pranuar përgjegjësitë me sfida të mëdha e paga të vogla”.

“Ne ikurajojmë ekspertët shëndetësorë, sikur dr. Mehani, të jenë pjesë e garës dhe menaxhmentit të shëndetësisë së Komunës së Drenasit, njëkohësisht, pres që kandidatëve të mos ju cenohet as e drejta e mundësitë e kandidatëve të cilët mund të kenë angazhim në politikë, por, asnjëherë komisioni vlerësues nuk guxon të jetë i ndikuar” – ka thënë ai.

KALLXO.com ka provuar që të kontaktojë edhe me Selman Mehanin, por i njëjti nuk ka kthyer përgjigje deri në momentin e publikimit të këtij artikulli.