Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Vazhdon polemika Basha – AGK, deputeti thotë se kritika është liri e shprehjes e jo sulm
Gjuha e përdorur nga deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, në një intervistë në Radio Televizionin e Kosovës është kritikuar ashpër në publik.
I pyetur në lidhje me Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ai u shpreh gjatë intervistës se kjo temë duhet të jetë “shqetësim për Radiotelevizionin e Serbisë, por jo edhe për RTK-në”.
Ndaj deklaratës së tij ka reaguar menjëherë Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, duke e cilësuar si “intimidim publik” qasjen e tij në raport me gazetaren Blerta Foniqi Kabashi.
Pas kësaj u zhvillua një polemikë në mes tij dhe Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës.
Basha, sot, më 05.05.2024, i ka reaguar jo vetëm AGK-së por edhe sekretarit të Federatës Evropiane të Gazetarëve, Ricardo Gutierrez.
“Po thoni se jeni të thirrur të mbroni lirinë e shprehjes për gazetarët dhe mediat, kurse po kërkoni të ma dënoni mua po të njëjtën të drejtë! Kushtetuta nuk thotë që drejtën e lirisë e gëzojnë vetëm gazetarët, por çdo qytetar i republikës, përfshirë mua si deputet” – ka shkruar Basha.
Regimet ndaj tij, ai i ka vlerësuar si “jashtëzakonisht të rrezikshme”, pasi sipas tij AGK po kërkon amnisti për vete kurse ndëshkim për deputetin.
Sipas Bashës, liria e shprehjes nuk e amniston askënd nga kritika, përfshirë edhe AGK-në.
“Tjetra, është hipokrizi, sepse kur ju kritikoj unë e kualifikoni si sulm, kurse kur raporti i Departamentit të Shtetit Amerikan e përmban të njëjtën kritikë, nuk bëni zë dhe nuk kërkoni që Amerika ta mbyll gojën. Nuk e kuptoj se cila pjesë e këtij argumenti është e paqartë” – vazhdoi tutje Basha.
Deputeti i LVV-së pati edhe disa fjalë për sekretarin e Federatës Evropiane të Gazetarëve, Ricardo Gutierrez.
Basha tha se në këtë rast nuk ka asnjë sulm por ka kritikë.
“E siç do duhej ta dinin, kritika është liri e shprehjes në Kosovë, jo sulm” – u shpreh deputeti.
“E dyta, nuk po e kuptoj çfarë sistemi vlerash është thirrja nga pozita juaj që të kërkoni nga Kryeministër vendi që ta hesht një deputet! Nuk e di sa keni njohuri për mua, por unë jam deputet i pavarur në mendime” – vazhdoi tutje ai.
Postimin e plotë të deputetit Basha të datës 05.05.2024 mund ta gjeni duke klikuar KËTU.
Për rastin e intervistes kanë reaguar edhe drejtori i Televizionit publik, Rilind Gërvalla dhe Drejtori i Përgjithshëm, Shkumbin Ahmetxhekaj.
Gërvalla e quajti të papranueshme gjuhën e deputetit Basha ndërsa Ahmetxhekaj e ka konsideruar sulm të drejtpërdrejt.
“Ndërtimi i narracionit që kushdo që raporton ndryshe nga bindjet politike të tjetrit është me Serbinë dhe RTS-in, është sulm i drejtpërdrejt mbi punën dhe angazhimin tonë të përditshëm” – ka shkruar drejtori Ahmetxhekaj në Facebook më 04.05.2024.
Përsëri “përplasje” mes deputetit Basha dhe AGK-së për intervistën në RTK