Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kodi Etik për deputetët: Masa ndëshkimore për ligjvënësit me sjellje të pahijshme

Për deputetët e Kuvendit të Kosovës është duke u përgatitur një Kod Etik. Përfaqësuesit e zgjedhur me votën e qytetarëve duhet ta respektojnë atë, në të kundërtën parashihen masa ndëshkimore ndaj tyre. Për shkelje të rënda ata mund të sanksionohen edhe financiarisht

Pas 23 vjetësh parlamentarizmi, Kuvendi i Kosovës pretendon të nxjerr Kodin Etik për deputetët. Ky Kod, një kopje të të cilit e disponon Kallxo.com, përveç që përcakton parimet e përgjithshme të sjelljes së përfaqësuesve të zgjedhur, parasheh edhe sanksione ndaj atyre që i thyejnë “rregullat e shtëpisë”. Sanksionet parashihen të jenë prej më të lehtave e deri te ato më të rënda, përkatësisht nga tërheqja e vërejtjeve e deri të ndalja e 50 për qind e pagës bazë.

Bazuar në draftin e këtij kodi, i cili aktualisht është në fazën e shqyrtimit në komisione parlamentare, shkeljet e lehta përfshijnë: pasthirrmat, zhurmimet, ndërprerjet e fjalës, përdorimi i celularit ose i laptopit në mënyrën që pengon mbarëvajtjen e seancës si dhe mosrespektimi i Kodit të veshjes.

Ndërsa në shkelje të rënda hyjnë: dhuna fizike, gjuha e pahijshme fyese e kërcënuese, ngacmimi seksual dhe konflikti i interesit.

Në versionin fillestar Kodi parashihte sanksionimin financiar deri në 20 për qind të pagës së deputetit, por gjatë mbledhjes së Komisionit për Legjislacion më 30.04.2024, me propozim të një deputeti, shuma e gjobës u rrit në 50 për qind. Pra, me këtë ndryshim, për sjellje të pahijshme, një deputeti mund t’i hiqen deri në 902 euro nga paga bazë që aktualisht është 1804 euro.

Ky propozim erdhi nga deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Bashi, i cili fillimisht kërkoi ndëshkim me ndalje të tri pagave, por meqë ky propozim nuk gjeti mbështetje, u vendos që gjoba të jetë 50 përqindshi i pagës.

Përveç sanksioneve financiare, në rast të shkeljes së Kodit të Sjelljes parashihen edhe disa masa të tjera, që përfshijnë edhe suspendimin e deputetëve nga seancat plenare dhe nga mbledhjet e komisioneve parlamentare.

“Në rast të shkeljes së Kodit të Sjelljes, ndaj deputetit, mund të zbatohen masat ndëshkuese si vijon: Vërejtje me shkrim. Në rast të shkeljes së rëndë të përsëritur, deputetit/tes i shqiptohet vërejtje me shpallje publike në ueb faqen e Kuvendit të Kosovës dhe deklarim të shkeljes në seancën e ardhshme të Kuvendit; Suspendimi nga pjesëmarrja deri në tri (3) seanca plenare, varësisht nga niveli i shkeljes së kodit. Suspendimi nga pjesëmarrja deri në tri (3) mbledhje të komisioneve, varësisht nga niveli i shkeljes së kodit”- thuhet në Kod.

Organi kompetent që do të masë nivelin e shkeljeve të deputetëve do të jetë Këshilli i Etikës, i përbërë nga nëntë anëtarë, prej të cilëve, katër do t’i përkasin shumicës parlamentare, tre opozitës dhe dy komuniteteve joshumicë. Çështja e ngritur në Këshill, parashihet të merr vendim meritor brenda 15 ditëve.

Jo më larg se më 02.05.2024, një situatë e tensionuar u krijua në seancën plenare të Kuvendit, mes deputetit të PDK-së, Ferat Shala dhe atij të LVV-së, Salih Zyba. E gjitha ka ndodhur, pasi Shala ka dalë në foltore për t’ia larguar mikrofonin kryetares së Grupit parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, e cila kishte dalë të bëjë një kundër-replikë, e që sipas nënkryetares Saranda Bogujevci, ishte e drejtë dhe e bazuar në Rregulloren e Kuvendit. Ajo kërkoj nga sigurimi të largohen nga salla deputetët e përfshirë.

Nisur nga ky rast, nënkryetarja Bogujevci në një prononcim për KALLXO.com, tha se ky Kod duhet të trajtoj problemet me të cilat po përballet Kuvendi sidomos për çështjen e gjuhës.

“Unë e mirëpres themelimin e Kodit të Etikës. Fatkeqësisht nuk është arrit të krijohet kulturë e mirë e funksionimit të Kuvendit, prandaj është i nevojshëm. Në fakt Kodi i Etikës ekziston në secilin institucion edhe në vendet me demokratike dhe ka një funksion specifik në mënyrën si duhet të ketë mbarëvajtjen ai institucion. Natyrisht që duhet t’i trajtoj elementet që jemi duke u ballafaquar e sidomos çështjen e gjuhës”- tha ajo.

Bogujevci uron që të gjithë deputetët ta përkrahin këtë Kod.

Më 13.07.2024, në Kuvend të Kosovës ka ndodhur një përplasje fizike e cila u bë lajm edhe në mediat ndërkombëtare.

Lidhur me këtë rast, në tetor të vitit 2023, Prokuroria Themelore e Prishtinës, përmes njoftimit për media, ka bërë të ditur se  ka ngritur aktakuzë ndaj katër të pandehurve,  Besnik Bislimi, Hajdar Beqa, Mërgim Lushtaku dhe Bekim Haxhiu, për veprën penale – Sulmi sipas dispozitave të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Po ashtu, i pandehuri Hajdar Beqa akuzohet edhe për veprën penale – Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë.

Sulmi përmendët edhe në raportin e ‘Freedom House’ për vitin 2023.