Zgjedhjet evropiane, Kurti në Berlin në mbështetje të kandidatëve socialdemokratë gjermanë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka njoftuar se ka marr pjesë në konferencën e nivelit të lartë të Partisë së Socialistëve Evropianë në Berlin.

Nëpërmjet një statusi në llogarinë e tij në Facebook, ai ka bërë të ditur se përkrah kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scholz, ka shprehur mbështetjen për kandidatët socialdemokratë Katarina Barley dhe Nicolas Schmit.

Zgjedhjet europiane të parapara që të mbahen më 9 qershor, sipas Kurtit, janë vendimtare për të ardhmen, sigurinë dhe prosperitetin në kontinentin tonë.

“Vota për ta, është e domosdoshme për mbrojtjen e vlerave e parimeve demokratike, të solidaritetit e të gjithëpërfshirjes, të të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit, të drejtësisë sociale e të pluralizmit politik” – ka shkruar Kurti.

“Këto [vlera] janë të kërcënuara çdo ditë e më shumë nga rrymat e djathta radikale që tentojnë të na rikthejnë në periudhat e zymta dhe të errëta të shekullit të kaluar, por edhe nga parti të djathta që në vend se të distancohen, koketojnë me ta” – ka vazhduar ai.

Sipas kryeministrit, konferenca udhëhiqej nga motoja “Ne qëndrojmë të bashkuar – për Evropën tonë”.

E siç ka shkruar Kurti, “vetëm të unifikuar, mund t’ia dilet suksesshëm me vështirësitë dhe të tejkalohen sfidat që paraqiten”.