Foto: Policia e Shtetit
Tragjedia në Shkodër, reagon ministri i Brendshëm i Shqipërisë
Një vajze 9-vjeçare u gjet pa shenja jete në ujërat e lumit Buna në Shkodër, e në kërkim nga Policia e Shtetit janë edhe nëna e viktimës bashkë me dy fëmijët e tjerë të saj.
Dyshimet fillestare janë se edhe nëna e dy fëmijët janë vetëmbytur, përderisa shkaktar i kësaj ngjarjeje të rëndë po dyshohet se është 31-vjeçari, bashkëshorti i gruas dhe babai i tre fëmijëve.
Nëna dhe tre fëmijët fillimisht u raportuan si të zhdukur, përderisa në zhvillim e sipër të ngjarjes në pranga të zyrtarëve policor ra 31-vjeçari, i cili u arrestua si i dyshuar për “shkaktim të vetëvrasjes”.
Një reagim pas gjithë kësaj ngjarjeje erdhi edhe nga ministri i Punëve të Shqipërisë, Taulant Balla.
“Ngjarja e rëndë në Shkodër, ku një nënë dhe tre fëmijët e saj dyshohet se janë vetëmbytur në lumin Buna, na ka tronditur të gjithëve. Njësia e specializuar e RENEA dhe Forca Kombëtare e Sigurisë Publike janë duke vijuar kërkimin e përgjatë gjithë rrjedhës së lumit Buna” – tha Balla.
Ai shtoi se Policia e Shtetit ka ndaluar bashkëshortin dhe ka dyshime të forta se dhuna në familje, presioni psikologjik kanë shtyrë viktimën drejt këtij akti tragjik.
Ministri i bëri thirrje çdo gruaje të denoncojë çdo lloj forme dhune, duke thënë se dhuna shpesh manifestohet në shtëpi, mbrapa dyerve të mbyllura.
“Dhuna ndaj grave nuk është një çështje private. Ajo na intereson të gjithëve. Dhe ne, e gjithë shoqëria, duhet t’i nxisim viktimat e dhunës ta denoncojnë. Nuk mund të ketë asnjë justifikim ndaj dhunës – as në shtëpi, as në vendin e punës, as në jetën publike, as online. Askund” – u shpreh ministri Balla.
Nëna me fëmijët dyshohet se u larguan nga banesa e të dyshuarit më 02.05.2024 për shkak të dhunës së ushtruar ndaj tyre.
Gruaja e të dyshuarit, A.A është 39-vjeçare dhe fëmijët e tyre të mitur, 9, 8 dhe 3 vjeç.
Rastin në Polici e kishte raportuar vetë i dyshuari më 03.05.2024 se një ditë më parë ishin larguar nga banesa bashkëshortja dhe 3 fëmijët e tyre të mitur.
Policia e Shtetit tha se bazuar në hetimet e kryera dhe inteligjenca policore, dyshohet se shkaku i largimit nga banesa ishte dhuna e ushtruar nga 31-vjeçari, ndaj bashkëshortes dhe fëmijëve, të cilët dyshohet se mund të kenë kryer vetëvrasje.
31-vjeçari kishte qenë i dënuar më parë për kultivim të bimëve narkotike, e tashmë ai është i dyshuar për veprën penale “Shkaktimi i vetëvrasjes”.
Mbytet një 9-vjeçare në lumin Buna, Policia në kërkim të nënës dhe dy fëmijëve të tjerë