Ministrja Hoxha kërkon nga Hahn përshpejtimin e liberalizimit të vizave

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka takuar komisionarin për zgjerim të Bashkimit Evropian, Johannes Hahn gjatë Konferencës së 14-të të Rajoneve dhe Qyteteve të Evropës që po mbahet në Salzburg.

Hoxha kërkoi mbështetjen e Hahn që procesi i vendimmarrjes për liberalizimin e vizave për kosovarët të përshpejtohet dhe përmbyllet gjatë këtij viti.

“Ne i kemi përmbushur të gjitha kushtet nga udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave. Ne jemi duke çuar përpara Agjendën e Reformave Evropiane, dhe me dinamikë të shtuar po realizojmë masat e planifikuara nga MSA-ja”, tha ajo.

Sipas një komunikate për medie, komisionari për zgjerim të BE-së, Hahn, theksoi se Kosova e ka mbështetjen e tij për procesin integrues, duke përfshirë edhe liberalizimin e vizave.

Hahn inkurajoi Ministren Hoxha që Kosova të vazhdojë me reformat sidomos në fushën e sundimit të ligjit, administratës publike dhe të bërit biznes.