Foto: MTI

Ministri Shala takoi ambasadorin e ri të Turqisë, Çagrı Sakar

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala ka pritur në takim ambasadorin e ri të Turqisë në Kosovë, Çagrı Sakar, me të cilin thuhet se biseduan për thellimin e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.

Sipas njoftimit të MTI-së, Shala ka thënë se ministria që drejton është bartëse e zbatimit të Ligjit për Investime Strategjike, duke theksuar se ligj krijon shumë lehtësira për investitorët potencial.

“Kemi disa kompani turke që janë të interesuara për të investuar në Kosovë në fushën e energjisë së ripërtritshme, dhe për Republikën e Kosovës çdo investim nga shteti i Turqisë është i mirëseardhur. Dua t’iu garantoj për përkushtimin tim që investitorët nga Turqia do t’i kenë të gjitha lehtësirat që ligji i mundëson”, tha ministri Shala.

Shala theksoi se për Kosovën është e rëndësishme bashkëpunimi me Turqinë, duke shtuar se shumë kompani turke kanë investuar në Kosovë dhe janë treguar të suksesshme.

Ndërsa ambasadori i Turqisë në Prishtinë theksoi se Kosova është vend i rëndësishëm dhe kanë marrëdhënie të shkëlqyera.

“Dëshiroj të theksoi se për ne është e rëndësishme thellimi i bashkëpunimit dhe besoj që MTI luan një rol të rëndësishëm në këtë bashkëpunim”, citohet të ketë thënë ambasadori.