Inspektorati asgjëson 1154 disqe për prerjen e hekurit dhe betonit
Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka asgjësuar 1 mijë e 154 disqe për prerje të hekurit dhe betonit me afat të skaduar të përdorimit.
MTI bëri të ditur se këto disqe ishin të brendeve dhe dimensioneve të ndryshme dhe me origjinë nga vendet e ndryshme.
“Këto produkte si të tilla paraqesin rrezik për përdorim nga konsumatorët dhe në të gjitha rastet operatorët ekonomik kanë bërë shkatërrimin/asgjësimin e këtyre produkteve me afat të skaduar në prezencë të Inspektorëve të Tregut” – thuhet në njoftimin e Ministrisë.
Ky institucion theksoi se me rastin e asgjësimit/shkatërrimit të disqeve për prerje të hekurit e betonit janë marrë masa ndëshkuese në pajtim me legjislacionin në fuqi.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që nëse hasin në produkte të tilla në treg të lajmërojnë inspektorët e tregut të cilët do të veprojnë konform legjislacionit përkatës në fuqi dhe kompetencave që ata kanë.