Ish-ministri e quan skandaloz vendimin e MTI-së për heqjen e masës ndaj bllokave që vijnë nga Serbia

Ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala e ka quajtur skandaloz vendimin e ministres aktuale të Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, për shfuqizimin e masës mbrojtëse antidamping për bllokat me dimensione 19x19x25 të importuar nga Serbia.

Shala në një prononcim për KALLXO.com ka thënë se vendimi ka qenë i bazuar në ligj dhe në marrëveshjen për tregti të lirë – CEFTA.

“Ky është skandal. Këta janë hipokritë. Ky ka qenë vendim i bazuar në ligj, i bazuar edhe brenda marrëveshjes së CEFTA-s. Ka qenë masë antidamping edhe masë e cila i ka ndihmuar prodhuesit vendorë që në këtë rast tjegullat e blloqet e tjera të mos hyjnë me masa dampingut dhe të dëmtojnë tregun e Kosovës por të ndihmohen prodhuesit kosovarë”, ka shtuar ai.

Ish-ministri Shala ka theksuar se Kosova ka mjaft prodhues të atyre llojeve të materialit ndërtimor.

“Kemi prodhues kosovarë që prodhojnë blloka, kemi sa të duash dhe kemi treg edhe për me dhënë jashtë dhe jo vetëm për tregun e brendshëm”, ka thënë ai për KALLXO.com.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari ka dalë me një arsyetim në lidhje me vendimin për shfuqizimin e masës mbrojtëse antidamping për bllokat me dimensione 19x19x25 të importuar nga Serbia.

Ajo ka theksuar se e kanë shfuqizuar vendimin pasi  më datë 7 korrik 2021 sipas afateve ligjore janë bërë 5 vite të zbatimit të kësaj mase, e që sipas saj, vendimi i marrë më 7 korrik 2016 nuk e specifikonte afatin prej 5 vitesh ashtu siç parashihet me ligj.

“Nëse konstatohet se një import i tillë vazhdon së atakuari përsëri prodhuesit vendor me shitjen e produktit nën vlerën normale, atëherë ne nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë do të marrim vendim menjëherë për hapjen e një hetimi zyrtar ashtu siç parashihet me nenin 29 të këtij ligji dhe nëse analizat përfundimtare konstatojnë se po vazhdon çmimi damping në tregun e Kosovës, ne nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë do të vendosim përsëri masën mbrojtëse antidamping për bllokat 19x19x25 nga Serbia”, ka shkruar ajo në Facebook.

Vendimin e ministres Hajdari mund ta gjeni në këtë LINK.