Kontrolle në dhjetra qendra masazhi, mbyllen 14 lokale dhe arrestohen 6 persona

Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore e Policisë në bashkëpunim me inspektorë të Ministrisë së Tregtisë dhe Indsutrisë si dhe ATK-së kanë kontrolluar 57 qendra masazhi, ku janë iniciuar dy raste për vepra që lidhen me prostitucion dhe arrestuan 6 persona.

“Gjatë realizimit të operacionit janë kontrolluar/inspektuar 57 qendra masazhi. Janë iniciuar dy raste për përfshirje të të dyshuarve në veprat penale ‘mundësim apo detyrim në prostitucion’ dhe ‘ofrim i lokaleve për prostitucion’. Janë arrestuar gjashtë të dyshuar, prej tyre dy janë dërguar në mbajtje deri në 48 orë me aktvendim të prokurorit”, thuhet në komunikatë.

Tutje, bëhet e ditur se nga inspektorët kompetentë janë mbyllur 14 lokale dhe janë shqiptuar gjoba për parregullsitë e evidentuara.

Sipas Policisë, gjatë realizimit të operacionit janë legjitimuar 107 persona (96 të gjinisë femërore, dy të mitura dhe 11 të gjinisë mashkullore). Nga personat e legjitimuar, me shtetësi të huaj janë hasur 19 nga Shqipëria, 4 nga Tajlanda dhe 1 nga Rumania.

Shtetaset e huaja në mungesë të paraqitjes së lejes së qëndrimit janë trajtuar nga Drejtoria për Migrim dhe Huaj e PK-së.