Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

A ka monopol në tregun e naftës? Flet ministrja Hajdari

Cilësia e naftës në Kosovë po konsiderohet se nuk është e mirë. Madje, ka dyshime që ajo po përzihet e pastaj po shitet.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari foli të martën para gazetarëve ku edhe bëri të ditur se në vend mund të ketë edhe monopol në tregun e naftës. Ajo tha se kanë punuar ngusht me palët e interesit në ligjin e ri për naftën.

Ndërsa, dha edhe arsyet se pse kanë vendosur që të kthehet kontrolli i cilësisë së natës në Doganë, e jo tek laboratorët privat.

“Vendimi për marrjen e kthimit të kontrollit të cilësisë së natës në Doganë është marrë për shumë arsye. Është vendosur një Udhëzim Administrativ jashtëligjshëm që nuk ka pasur asnjë bazë ligjore nga ligji përkatës për naftën. Ne e kemi kthyer ashtu siç ka qenë, me ligjin e vjetër deri në aprovimin e ligjit të ri, tani ne e kemi shtyrë ligjin e ri e cili e rregullon saktësisht tregun e naftës”, deklaroi Hajdari.

“Tregu i naftës ka shumë problem, duke filluar nga importi. Ne si ministri jemi të vetëdijshëm që nafta që importohet nuk vjen me kualitetin që ne e presim, sidomos ai i naftës industriale. Përzërja e naftës është në vëmendjen tonë”, tha ajo.

Ministrja ka ngritë shqetësime se në tregun e naftës mund të ketë monopol, por tha që për këtë po pret edhe analizat.

“Të gjitha këto adresime janë në vëmendjen tonë, po them edhe një herë, e gjithë ministria, inspektorati, departamenti i naftës dhe me Doganën jemi duke e përcjellë ecurinë për rregullimin e tregut të naftës. Të ju them këtu që ka shumë lojtarë, me gjasë ka edhe monopole, por unë nuk dua të lëshohem në këtë analizë derisa nuk kam marrë konkludimet sa i përket tregut të naftës”, deklaroi ajo.

“Jemi të njoftuar nga KALLXO.com dhe media të tjera që nafta për tregun e Kosovës po përzihet, po përzihet me karburante të tjera pastaj ajo përzierje po shitet në treg”, tha në fund Rozeta Hajdari.

KALLXO.com kishte raportuar se në kohën kur MTI-në drejtonte partia e Fatmir Limajt ishte propozuar që kontrollimi i cilësisë së naftës të bëhet nga disa laboratorë private, të afërta me politikën.

Dyshimet rreth kontrollit të cilësisë së naftës – LIVE

www.kallxo.com