Dokument - Vendimet e MTI-së para shfuqizimit të taksës për bllokat e importuar nga Serbia

Javën e kaluar në Kosovë u kritikua dhe u kundërshtua vendimi i ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, për të shfuqizuar masën mbrojtëse antidamping për bllokat standard të importuar nga Serbia.

Ministrja Hajdari ishte arsyetuar se ka marrë këtë vendim pasi më datë 7 korrik 2021 sipas afateve ligjore janë bërë 5 vite të zbatimit të kësaj mase, e që sipas saj, vendimi i marrë 7 korrik 2016 nuk e specifikonte afatin prej 5 vitesh ashtu siç parashihet me ligj.

KALLXO.com ka kërkuar qasje në vendimin paraprak të ministrisë, atë të datës 7 korrik 2016 për taksën ndaj materialit ndërtimor.

Ministria Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka dërguar dokumentin e kërkuar, por edhe një vendim paraprak të vitit 2015.

Të dyja vendimet janë marrë nga ministrja e asaj kohe e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami  (LDK).

Në dokumentin e datës 18 dhjetor 2015 thuhet se vendimi ka të bëjë për vendosjen e masës në importe për material ndërtimor nga argjila, me nënpikën vendosjen e masës së përkohshme për 2 cent në bllok (bllokat standard 19×19.25).

Vendimi i MTI-së i datës 18.12.2015

“Bazuar në memorandumin shpjegues të Departamentit të Tregtisë dhe Komisionit për vlerësimin e masave në import i datës 15.12.2015, Dogana e Republikës së Kosovës udhëzohet që të ndërmarr të gjitha masat për mbrojtjen prodhuesve të materialit ndërtimor me bazë nga argjila”, thuhej mes tjerash në vendim.

Ndërkaq në vendimin e datës 7 korrik 2016 u ndryshua vendimi i 2015-s, duke u specifikuar masa e përkohshme për bllokat standard me origjinë nga Serbia për 2 cent në bllok.

“Paragrafi 1.1. i dispozitivit të Vendimit bazë ndryshohet dhe plotësohet si vijon: Vendosjen e masës së përkohshme për 2 cent në bllok (bllokat standard 19x19x25) me origjinë nga Serbia”, thuhej në vendim.

Sipas Ministrisë, masa mbrojtëse antidamping për bllokat standard të importuar nga Serbia ka ardhur si rezultat i shitjes së produktit në tregun e Kosovës nën vlerën normale të çmimit të tregut.

Vendimi i MTI-së i datës 07.07.2016

Për shfuqizimin e kësaj mase, ministrja aktuale Rozeta Hajdari kishte deklaruar nëse konstatohet që importi i bllokave nga Serbia atakon prodhuesit vendor, do të marrin vendim për hetim zyrtar dhe do të kthejnë taksën.

“Nëse konstatohet se një import i tillë vazhdon së atakuari përsëri prodhuesit vendor me shitjen e produktit nën vlerën normale, atëherë ne nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë do të marrim vendim menjëherë për hapjen e një hetimi zyrtar ashtu siç parashihet me nenin 29 të këtij ligji dhe nëse analizat përfundimtare konstatojnë se po vazhdon çmimi damping në tregun e Kosovës, ne nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë do të vendosim përsëri masën mbrojtëse antidamping për bllokat 19x19x25 nga Serbia”, ka shkruar ajo në Facebook.

Ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala e kishte quajtur skandaloz vendimin e ministres aktuale të Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, për shfuqizimin e masës mbrojtëse antidamping për bllokat me dimensione 19x19x25 të importuar nga Serbia.

Shala në një prononcim për KALLXO.com ka thënë se vendimi ka qenë i bazuar në ligj dhe në marrëveshjen për tregti të lirë – CEFTA.

“Ky është skandal. Këta janë hipokritë. Ky ka qenë vendim i bazuar në ligj, i bazuar edhe brenda marrëveshjes së CEFTA-s. Ka qenë masë antidamping edhe masë e cila i ka ndihmuar prodhuesit vendorë që në këtë rast tjegullat e blloqet e tjera të mos hyjnë me masa dampingut dhe të dëmtojnë tregun e Kosovës por të ndihmohen prodhuesit kosovarë”, pati shtuar ai.

Qeveria Kurti 2 është kritikuar edhe për mosmbajtjen e premtimit për vendosjen e reciprocitetit ndaj Serbisë, pasi Albin Kurti gjatë fushatës kishte thënë se ky vendim do të ishte çështje ditësh e assesi muajsh.

Së fundi kryeministri ka thënë se do të vendosin reciprocitetin ndonëse nuk ka dhënë ndonjë afat kohor se kur do të ndodhë një gjë e tillë.