Nuk peshuan aq sa u shkruan në paketim, ndalohet shitja e mbi 49 mijë paketimeve me hurma

Inspektorët e Ministrisë së Tregtisë kanë ndaluar shitjen e rreth 49 mijë e 500 paketimeve të hurmave për shkak se kanë evidentuar mospërputhje të peshës së deklaruar në parapaketim.

Sipas komunikatës së MINT-së, inspektorët e Tregut në bashkëpunim me zyrtarët e Metrologjisë, pas marrjes së mostrave kanë konstatuar së produktet hurma të peshës 550 gram dhe 600 gram nuk e kanë peshën e deklaruar sikurse në parapaketim dhe të njëjtat nuk e plotësojnë kriterin e mesatares dhe atë të përmbajtjes në etiketë.

“Si rrjedhojë, subjektet ekonomike janë obliguar që të ndërmarrin veprimet e nevojshme për t’i eliminuar këto parregullsi, përkatësisht të vendosin deklaracionin me peshën e saktë të produkteve, dhe në secilin rast janë marrë masa ndëshkuese në pajtim me legjislacionin në fuqi” – thuhet në komunikatën e MINT-së më 02.04.2024