Mbledhja e Qeverisë, Foto: Facebook

Lluka: Kosova Shumë Shpejt me Nënshkrime dhe Vula Elektronike

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka ka thënë se sot shënohet një ditë e rëndësishme për sektorin e teknologjisë informative pasi që në mbledhjen e Qeverisë është kaluar Koncept Dokumenti për Identifikimin Elektronik dhe Shërbimet e Besueshme në lidhje me Transaksionet Elektronike.

“Për t’ju përgjigjur ritmeve të shpejta me të cilët Teknologjia e Informacionit po futet në shërbimet publike ndaj qytetarëve, një vëmendje e veçantë po i kushtojmë nënshkrimit elektronik, të vetëdijshëm mbi nevojën e përdorimit të kësaj mënyre që garanton komunikim më të sigurt”, ka thënë Luka përmes një postimi në Facebook.

Sipas tij ky është hapi i parë drejt krijimit të kornizës ligjore për identifikimin elektronik, vulat elektronike, shërbimin e dorëzimit elektronik dhe autentifikimin e faqeve të internetit.

“Kjo do të na mundësoj: Identifikim elektronik të sigurt, transaksione elektronike të sigurta, autentifikim, bashkëveprim të sigurt elektronik midis qytetarëve, bizneseve dhe autoriteteve publike, duke rritur efektivitetin e shërbimeve online publike dhe private dhe të tregtisë elektronike në Republikën e Kosovës, qasje në shërbimet tej-kufitare online, si dhe zbatim të rregullave për funksionalizimin e një regjimi uniform për njohjen e ndërsjellë të identifikimit elektronik midis shteteve zbatuese të eIDAS”, ka potencuar Lluka.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik është shprehur se miratimi i kornizës së re ligjore do të adresoj sfidat e identifikuara si, tregu digjital i fragmentuar, mungesa e ndërveprimit dhe rritja e krimit kibernetik, pasiguria juridike e konsumatorëve, bizneseve që të kryejnë transaksione në formë elektronike.