Pallati i Drejtësisë/ Foto-Urim Krasniqi

MD nis hartimin e koncept dokumentit për punëtorët e gjykatave dhe prokurorive

Ministria e Drejtësisë ka emëruar Grupin Punues për hartimin dhe finalizimin e koncept dokumentit për nëpunësit civil të gjykatave dhe prokurorive.

Në njoftimin e Ministrisë thuhet se ky Grup Punues ka për qëllim avancimin e statusit të stafit, rritjen e efikasitetit dhe efektivitetit duke u bazuar në specifikat që ka sistemi gjyqësor dhe ai prokurorial.

Ministria e Drejtësisë ka deklaruar se rregullimi i statusit të stafit administrativ të sistemit gjyqësor dhe atij prokurorial është njëri nga prioritetet e Ministrisë së Drejtësisë.

“Ministria e Drejtësisë mbetet thellësisht e përkushtuar për adresimin e sfidave jo të pakta që ka sistemi ynë gjyqësor dhe prokurorial. Roli dhe rëndësia e stafit administrativ në këtë drejtim është tejet i rëndësishëm”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë.

Gjithashtu Ministria e Drejtësisë ka shtuar se përfundimi i këtij procesi i hapë rrugë hartimit të ligjit për stafin gjyqësor dhe atë prokurorial.

“Përfundimi i këtij procesi i hapë rrugë që sipas opsionit të rekomanduar, Ministria e Drejtësisë në koordinim me institucionet përkatëse, partnerët ndërkombëtar si dhe përfaqësuesit nga shoqëria civile të hartojë ligjin për stafin gjyqësor dhe atë prokurorial, si kërkesë e vazhdueshme e sindikatës por edhe e stafit” thuhet tutje në njoftimin e Ministrisë.