Qeveria miraton Projektligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit

Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit në mbledhjen e saj të 180-të.

Sipas kryeministrit Albin Kurti nëpërmjet këtij projektligji do të rregullohet mbrojtja e konsumatorit, përgjegjësitë e tregtarit, si dhe përgjegjësitë e konsumatorit në blerjen e produkteve dhe shërbimeve.

Ndërsa, sipas ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë Rozeta Hajdari, me miratimin e këtij projektligji do të krijojnë një ambient të sigurt dhe një garanci shoqërore që të gjitha produktet dhe artikujt që konsumatorët dëshirojnë t’i blejnë për nevojat ekskluzive të tyre të jenë cilësore dhe të sigurta.

“Projektligji për Mbrojtjen e Konsumatorëve ka në prioritet t’i fuqizojë konsumatorët në Republikën e Kosovës, të mbrojë interesat ekonomike të konsumatorëve në çështjet e sigurisë, zgjedhjes, cilësisë, çmimit, larmisë, disponueshmërisë, të ofrojë për konsumatorin mbikqyrje bashkëkohore dhe transparencë të tregut, si dhe të mbrojë konsumatorët efektivisht nga rreziqet dhe kërcënimet, të cilat ata nuk mund t’i trajtojnë e zgjidhin në mënyrë individuale”- ka thënë ministrja Hajdari.

Ministrja Hajdari ka shtuar se, do të adresohen praktikat e padrejta tregtare, treguesit e çmimeve mbi produktet e ofruara, kushtet e padrejta në kontratë, të drejtat e konsumatorët në relacion me kontratat në distancë dhe jashtë objekteve afariste, masat mbrojtëse për mbrojtjen e konsumatorit, blerjet digjitale dhe mbrojtja kolektive.