Ish-ministri Lluka dëshmon në rastin 53 milionëshit : Kemi qenë nën ‘presion’ se mund të shkojmë në arbitrazh

Ish-ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj dhe tre zyrtarët e tjerë të kësaj ministrie, Eset Berisha, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri janë ulur përsëri në bankën e të akuzuarve në Gjykatën e Prishtinës në rastin e njohur si 53-milionëshi.

Në sesionin e paradites u dëgjua dëshmitari Besnik Avdiaj, ish-asistent ekzekutiv i ish-ministrit të Infrastrukturës Pal Lekaj, në atë kohë dhe Valdrin Lluka, ish-ministër në atë kohë.

Në pyetjet e prokurorit të rastit Atdhe Dema, dëshmitari Avdiaj deklaroi që si Ministri e Infrastrukturës, e kishin pranuar opinionin e ‘’Hill International’’ e cila ishte kompani mbikëqyrëse e kontratës për projektin infrastrukturor të autostradës ‘’Arbën Xhaferi’’ që lidh kryeqytetin me Han të Elezit.

Lidhur me pranimin dhe regjistrimin e kësaj shkrese, pra opinionit të kompanisë “Hill International”, dëshmitari sqaroi se ka pasur raste kur në ministri regjistroheshin dhe vuloseshin dokumentet edhe në librat e protokolleve dhe në arkiva.

Dëshmitari Avdijaj i pyetur nga gjykatësi Vesel Ismaili nëse kishte njohuri rreth përmbajtjes së këtij dokumenti, i njëjti sqaroi se nuk e ka ditur përmbajtjen e këtij opinioni sepse nuk ishte në domenin e punës së tij për ta ditur, andaj edhe nuk mund të deklarohet lidhur me ‘pasojat’ që mund të kishte prodhuar ky dokument.

Në sesionin e pasdites u dëgjua dëshmia e ish-Ministrit të Zhvillimit Ekonomik Valdrin Lluka, përmes video-lidhjes.

Dëshmitari Lluka në pyetjen e prokurorit Dema pohoi se kishte qenë një nga anëtarët e komitetit drejtues ndërministror që ishte përgjegjës për këtë projekt dhe se të njëjtit nuk i kujtohet nëse kishin pranuar opinion nga kompania mbikëqyrëse e projektit “Hill International”.

Dëshmitari Lluka theksoi se brenda këtij komitetit kishte pasur diskutime për vlerën shtesë prej 53.1 milionë euro që ishte kërkuar nga kompania Bechtel-Enka, si shkak i vonesave të pagesave të paracaktuara në marrëveshje që nuk ishin respektuar nga qeveritë e kaluara.

Prokurori Dema e pyeti dëshmitarin se cila ka qenë vlera shtesë që ishte pretenduar nga Bechtel-Enka lidhur me zgjatjen e afatit te përfundimeve te punimeve, dëshmitari Lluka deklaroi që ‘’Ka qenë diku përafërsisht 60 milionë, vlera e saktë nuk më kujtohet’’.

Sipas dëshmitarit Lluka, shqetësimi kryesor lidhur me këtë çështje ka qenë që mos-pagesa e një detyrimit të tillë mund të përfundonte në arbitrazh.

Tutje, dëshmitari Lluka sqaroi se kishin kërkuar negocim tutje së bashku me ekipin e menaxhimit të projektit për të proceduar në zbritjen e kostos shtesë.

’Kemi kërkuar opinion pas negocimit për uljen e shumës së caktuar dhe kemi kërkuar opinion ligjor nga kryesuesi i komitetit ndërministror’’ – tha ai.

I njëjti shtoi se në bazë të këtij opinioni ligjor nga departamenti ligjor nga Ministria e Infrastrukturës janë zhvilluar këto negociata me operatorin ekonomik duke e ulur kështu koston në 53.1 milionë.

Më pastaj, ky komitet i kishte rekomanduar qeverisë që të ekzekutonte këtë pagesë ndaj “Bechtel-Enka”, e që qeveria e kishte ekzekutuar më 5 qershor 2018.

Shqyrtimi gjyqësor i radhës lidhur më këtë çështje do të vazhdojë me 17 korrik.

Ish-ministri Lekaj dhe tre zyrtarët e tjerë, Eset Berisha, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri akuzohen se janë përfshirë në afera korruptive kur ishte vendosur për ndarjen e këtyre mjeteve në emër të vazhdimit të punimeve në autostradën “Arbën Xhaferi” që lidh kryeqytetin me Hanin e Elezit.

Me veprimet e tyre ata akuzohen se buxheti i Kosovës i është shkaktuar dëm në vlerë prej 38.321.346.00 euro.

Sipas PSRK-së, ndonëse të pandehurit kanë qenë në njohuri që sipas aneks-kontratës kostoja shtesë në emër të shtyrjes së afatit të punimeve të jetë 14 milionë e 778 euro, me dashje kishin nënshkruar një marrëveshje të re pa kosto.

Aktakuza thotë se Lekaj kishte caktuar Eset Berishën që të marrë pjesë në negociata për arritjen e marrëveshjes me “Bechtel & Enka” ku ata pajtohen që në emër të zgjatjes së afatit të përfundimit të punimeve, Ministria e Infrastrukturës t’i paguajë koston shtesë në vlerë prej 53 milionë e 100 mijë euro.

Sipas Prokurorisë, historia nis në vitin 2017 kur Ministria që drejtohej nga Pal Lekaj nënshkroi një marrëveshje me kompaninë “Bechtel-Enka” për shtyrjen e afatit të përfundimit të punimeve në autostradën Prishtinë-Hani i Elezit për 347 ditë të tjera duke mos përcaktuar koston financiare.

Kjo, sipas aktakuzës, i kishte hapur rrugë kompanisë që më datën 27 nëntor 2017 të paraqes një kërkesë në Ministrinë e Infrastrukturës për pagesë të shumës shtesë “Briefing Package” në vlerë prej 63 milionë euro në emër të “zgjatjes së afatit të përfundimit të punimeve”.

Kërkesa e njëjtë më pastaj ishte zbritur në 53 milionë e 100 mijë euro e cila edhe ishte ekzekutuar më 5 qershor të vitit 2018 nga Qeveria e Kosovës.