Ilustrim

Çka parasheh koncept dokumenti për burimet e energjisë së rinovueshme?

Koncept dokumenti për burimet e rinovueshme të energjisë parasheh konkurrueshmërinë në tregun e kësaj energjie.

Sipas këtij koncept dokumenti, investitorët do t’u nënshtrohen ankandeve për përfitim të tarifave. Kjo procedurë konkurrimi nuk është bërë deri në vitin 2020 për shkak se caqet janë arritur përmes tarifave nxitëse të cilat janë përcaktuar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë.

Udhëzimi Administrativ numër 06/2017 nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik paraqet bazën që procesi konkurrues mund te zhvillohet nga ZRRE-ja përmes Rregullit për Skemën Mbështetëse ku është parapare mundësia që të përcaktohen primet e furnizimit dhe mjetet tjera mbështetëse bazuar në proceset konkurruese. Primet e furnizimit ose mjetet tjera mbështetëse nuk janë zbatuar deri më sot për shkak se caqet e vitit 2020 janë arritur përmes tarifave nxitëse.

Sipas koncept dokumentit statusi aktual dhe çmimet për teknologjinë me BRE si dhe trendin mbizotërues në zhvillimin e mëtejshëm të sektorit të energjisë elektrike, ekziston nevoja për të marrë parasysh kalimin në skemat mbështetëse të bazuara në treg.

“Ky trend është përshpejtuar nga rregullat e ndihmës shtetërore të BE-së, që sugjerojnë futje graduale të proceseve dhe mekanizmave për ofertim konkurrues dhe sigurojnë zëvendësim gradual të tarifës nxitëse me primet e furnizimit, që do të jetë edhe qasje e detyrueshme për anëtarët e Komunitetit të Energjisë”, thuhet në këtë koncept dokument.

Në këtë koncept dokument parashihen edhe ndikimet ekonomike që mund të kenë burimet e rinovueshme të energjisë.

Ky koncept dokument parasheh rritjen e  çmimit të energjisë për shkak të futjes në sistem të teknologjisë së re e që mund të rrisë tarifën e energjisë elektrike në faturën e qytetarëve.

Gjithashtu parashihet rritje e vendeve të punës me një pagë më të lartë e po ashtu edhe rritje e investimeve të huaja në këtë sektor.

Ky koncept dokument parasheh edhe rritje të importit të teknologjisë, por jo eksport pasi që Kosova nuk ka burime të mjaftueshme të prodhimit të teknologjisë për energjinë e rinovueshme.

Përmes këtij koncept dokumenti, Kosova parasheh ta dekarbonizojë energjinë deri në vitin 2030 duke prioritizuar projektet e gjelbërimi, mbrojtjes së mjedisit dhe zvogëlimit të emetimeve të gazrave serrë. Me rritjen e burimeve të energjisë së rinovueshme Kosova parasheh zvogëlim gradual të lëndëve djegëse fosile.

Në këtë koncept dokument Qeveria nuk ka paraparë lokacione se ku do të ndërtohen këto burime të energjisë.

Koncept dokumenti parasheh rritje të investimeve të burimeve të energjisë së rinovueshme e që më pas çojnë më zbutje të papunësisë. Zgjerimi i këtij sektori do at rrisë vlerën e tregut të energjisë e po ashtu edhe bruto produktin vendor

Ky koncept dokument parasheh ndotje më të vogël të ajrit në Kosovë përmes zvogëlimit të prodhimit nga termocentralet, e po ashtu edhe zvogëlim të shfrytëzimit të qymyrit.

Përfitimet mjedisore do të jenë të mëdha për shkak të zvogëlimit të emetimeve të ndotësve, duke siguruar përfitime edhe në fusha që ndërlidhen, siç është shëndetësia. Në të njëjtën kohë, zvogëlimi i emetimeve të CO2 dhe gazrave tjerë serrë do të kontribuojë në zbutjen e ndryshimeve klimatike.

Qeveria synon të arrijë 25 për qind nga burimet e energjisë së ripërtëritëshme në konsumin final bruto të energjisë gjatë periudhës afatmesme, në përputhje me potencialin që ka Kosova, bazuar në detyrimet që rrjedhin nga legjislacioni i BE-së si dhe në linjë me zhvillimet ndërkombëtare dhe praktikave më të mira.

Sektori i energjisë së ripërtëritshme në Kosovë aktualisht rregullohet me tre ligje bazike në sektorin e energjisë: Ligji nr. 05/L-081 për Energjinë, Ligji nr.05/L-085 për Energjinë Elektrike, Ligji Nr. 05/L-84 për Rregullatorin e Energjisë si dhe aktet nënligjore që rrjedhin nga këto ligje. Akt tjetër përkatës i këtij sektori është edhe Ligji nr. 05/L-052 për Energjinë Termike dhe aktet nënligjore që e shoqërojnë.

Emisioni “Jeta në Kosovë” vitin e kaluar kishte transmetuar hulumtimin “Monopoli me dritë të diellit – ZRrE dhe Devolli”, që tregon se Blerim Devolli përmes 6 kompanive ka arritur të marrë tarifa nxitëse për 6 megavatë dhe ishte në listë për të marrë tarifën nxitëse edhe për 10.7 megavatë të tjerë.

Hulumtimi i emisionit ‘Jeta në Kosovë’ zbardh skemën mbi të cilën kompani në pronësi të Blerim Devollit të regjistruara në shtetin e Maltës do të përfitojnë nga tarifat nxitëse për prodhimin e energjisë nga dielli.

Blerim Devolli ka arritur të përfitojnë tarifa nxitëse për prodhimin e 16.7 megavat energji solare duke u fshehur mbrapa bizneseve të ndryshme të regjistruara në Maltë, vend i njohur për fshehje të përfituesve të fundit të bizneseve.

“Jeta në Kosovë” ka gjetur se Blerim Devolli, përmes gjashtë bizneseve, do të përfitojë tarifa nxitëse për prodhimin e 16.7 megavatëve nga 30 megavatë sa është totali i kapaciteteve të energjisë solare të përkrahura nga shteti.

Dy kompani të Blerim Devollit, “Frigo Food Kosova” dhe “Birra Peja” kanë përfituar tarifa nxitëse prej 136.4 euro për megavat nga vendimi i bordit të ZRrE-së i datës 19 maj 2016. Ndërsa, katër kompani të tjera kanë përfituar tarifa nxitëse prej 85.5 euro nga vendimi i datës 27 maj 2019.

Dy kompanitë e Devollit, “Birra Peja” dhe “Frigo Food”, kanë përfituar nga skema e vitit 2016-të. Të dy kompanitë e kanë përuruar parkun solar me kapacitet prej 6 megavat në tetor të vitit 2018. Pra, këtyre dy kompanive ju garantohet shitja e energjisë me një çmim prej 136.4 euro për megavat për 12 vjet, pra deri në tetor të vitit 2030. Në Kosovë pronarë të kompanisë “Birra Peja” janë dy biznese të regjistruara në Maltë. Këto biznese quhen “Abrazen” dhe kompania “Globosos”.

Edhe prapa biznesit tjetër, “Frigo Food Kosova” është Blerim Devolli. Pronar i “Frigo Food Kosova” është kompania “Frigo Food Solar”. Kjo e fundit është e regjistruar në Maltë dhe pronar i saj është Blerim Devolli.

Ky park solar është përuruar me kapacitet prej 6 megavatë, pra ku hyjnë dy kompanitë e Blerim Devollit, por me bazë në Maltë. Edhe anëtarët e bordit të ZRrE-së kanë qenë në përurim të parkut dhe të njëjtit kanë vendosur për skemën mbështetëse në vitin 2019, prej të cilës përfitojnë 4 biznese të Blerim Devollit.

Hulumtimi po ashtu tregon se si një nga anëtarët e bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, Selman Hoti ka aksione në një biznes të quajtur “Electra”. Ky biznes ka qenë kontraktor dhe e ka ndërtuar parkun solar të bizneseve “Birra Peja” dhe “Frigo Food”, të dyja të lidhura me Blerim Devollin, i cili është pronar i katër bizneseve që do të përfitojnë tarifa nxitëse nga vendimi i datës 27 nëntor 2019.

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian.