Lirohen 7 të Akuzuar

Gjykata Themelore e Gjakovës sot ka shpallur gjykim lirues ndaj katër të akuzuarve: Hanife Laiq, e cila akuzohej për veprën penale legalizim i përmbajtjes së pavërtetë, Haxhi Istrefaj për marrje të ryshfetit dhe shpërdorim i detyrës zyrtare apo i autorizimit,  dhe Lavdim Zhubaj e Pleurat Gashi për veprën penale të dhënies së ryshfetit.

Ndërkaq, ndaj tre të akuzuarve Muhamet Gashi, Luljeta Cena dhe Teuta Blakaj, të akuzuar për shpërdorim të detyrës zyrtare apo autorizimit dhe falsifikim të dokumentit zyrtar, Gjykata mori aktgjykim refuzues ngase prokurori Agron Matjani në fjalën përfundimtare ishte tërhequr nga ndjekja penale ndaj tyre.

“Lirohen nga akuza se kanë kryer veprën penale për të cilën akuzohen ngase nuk është provuar që të akuzuarit kanë kryer vepër penale”, ka thënë gjykatësi Shaqir Zika.

“Ndërsa, ndaj të akuzuarve Muhamet Gashi, Luljeta Cena dhe Teuta Blakaj, Gjykata merr aktgjykim refuzues ngase prokurori i shtetit në fjalën e tij përfundimtare ka hequr dorë nga akuza kundër këtyre të akuzuarve”, shtoi gjykatësi.

“Në këtë çështje penale trupi gjykues ka ardhur në përfundim që nuk është provuar gjatë shqyrtimit gjyqësor që këtu të akuzuarit kanë kryer vepër penale për të cilën akuzohet ngase prokuroria e shtetit nuk ka zbatuar fare hetime, nuk ka marrë fare deklaratat e të akuzuarve dhe dëshmitarëve dhe Gjykata nuk ka mundur të bazojë aktgjykimin vetëm në një deklaratë të dhënë në Polici dhe atë pa mbrojtës. Andaj në mungesë të provave të njëjtit janë liruar nga akuza”, vazhdoi tutje kryetari i trupit gjykues Shaqir Zika.

Në aktakuzë, ndër të tjera thuhet se Hanife Laiq, e punësuar në Polici të Kosovës (DPK-Perëndimi Gjakovë), ka vënë në lajthim organin kompetent – Drejtoria e Administratës – sektori i Gjendjes Civile në Pejë, për të vërtetuar një çështje të pavërtetë e paraparë të shërbejë si provë në një dokument publik.

Ndërsa, sipas aktakuzës, Haxhi Istrefaj, në cilësinë e personit zyrtar në Qendrën Komunale për Regjistrimn Civil në Komunën e Deçanit, me qëllim të përfitimit të kundërligjëm të dobisë pasurore për vete dhe për tjetrin, ka shpërdorur pozitën zyrtare dhe nga Ruzhdi Jahja ka marrë 2,000 euro për të krijuar identitet të ri me falsifikimin e certifikatave të lindjes, të shtetësisë dhe vendbanimit për qytetarin i cili nuk është shtetas i Kosovës të paraqitur si Ruzhdi Jahja dhe Enis Jahja.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Haxhi Istrefi, zyrtar administrativ në Qendrën Komunale për Regjistrim Vivil në Komunën e Deçanit të pandehurit Lavdim Zhubi i ka dhënë 700 euro për të siguruar 21 çertifikata blanko –nga 7 certifikata të lindjes, shtetësisë dhe vendbanimit, nga e cila shumë i pandehuri Lavdim i ka dhënë të pandehurit Pleurat Gashi, i cili punonte si shofer në QKRC në Pejë 150 euro për t’i siguruar 21 certifikata, të cilat certifikata i pandehuri Pleurat i ka siguruar dhe i ka dorëzuar tek i pandehuri Lavdim më 19.07.2010. Kështu, sipas aktakuzës, ata si bashkëkryes kanë kryer veprën penale – dhënie e ryshfetit.

Për Muhamet Gashin në aktakuzë thuhet se në një datë të pacaktuar të muajit korrik 2010 në cilësinë e personit zyrtar në Qendren Komunale për Regjistrim Civil në Komunën e Klinës me qëllim të përfitimit të kundërligjëm të dobisë pasurore për vete dhe për tjetrin, ka shpërdorur pozitën zyrtare dhe nuk ka kryer detyrën zyrtare dhe certifikatat të cilat ka qenë i ngarkuar QKRC në Klinë janë falsifikuar dhe atë certifikatat e lindjes, të cilat kanë rezultuar të falsifikuara pas aplikimit nga personat Ruzhdi Jahja, Adile Jahja, Ariola Jahja, Ergys Jahja dhe Enis Jahja për pasaportë në QKRC në Gjakovë më 08.08.2011.

Sa i përket të akuzuarës Luljeta Cena aktakuza theksonte se më 23.09.2010 në cilësinë e personit zyrtar në Qendrën Komunale për Regjistrimin Civil në Komunën e Pejës me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për tjetrin, ka shpërdorur pozitën zyrtare dhe ka falsifikuar regjistrin civil të Komunës së Pejës ashtu që ka regjistruar si rekonstrukcion me dokumentacion tërësisht të falsifikuar më 27.09.2010 Adile Boshnjaku-Jahjen në librin amzë të të lindurve, e ka futur në sistem dhe të njëjtën ditë i ka lëshuar certifikatën e lindjes.

Ndërsa, Teuta Blakaj akuzohej se në cilësin e personit zyrtar në Qendrën Komunale për Regjistrimin Civil në Komunën e Pejës, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për tjetrin, ka shpërdorur pozitën zyrtare dhe ka falsifikuar regjistrin civil të Komunës së Pejës ashtu që ka regjistruar si rekonstrukcion me dokumentacion tërësisht të falsifikuar Ruzhdi Jahjen në librin amzë të të lindurve, e ka futur në sistem dhe të njëjtën ditë i ka lëshuar certifikatën e lindjes.