Have Lajqi, Gruaja që Sfidoi Adetet Për ta Marrë Pronën

Sot në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, një nga temat kryesore e të gjitha diskutimeve ishte trashëgimia e pronës.

Lidhur me këtë temë për mos heqjen dorë nga e drejta e gruas për trashëgimi nuk ka munguar as rrëfimi nga përvoja personale e Have Lajqi.

Porosia e Haves, për ata që u mohohet e drejta e trashëgimisë, është që mos të heqin dorë nga trashëgimia pasi trashëgimia sipas saj nuk falet por është e drejtë e secilit person.

Have Lajqi, e cila punon në Zyrën Rajonale në Pejë të Misionit të OSBE-së, ka rrëfyer betejën për të drejtat e saj nga përvoja personale.

Hava është një grua shqiptare e Kosovës së cilës i ka vdekur babai. Nga ajo dhe dy motrat e saj ishte pritur të heqin dorë nga e drejta e tyre trashëgimore në favor të një kushëriri, por ato vendosën që të luftojnë për të marrë trashëgiminë që u takonte me të drejtë dhe përkundër pritjeve, fituan.

Rrëfimi i Haves fillon kur babai i saj kishte tentuar që pronën e tij ta marrë me sistemin e pleqve mirëpo nuk ka pat sukses dhe ka vendosur që këtë të drejtë ta fitojë përmes gjyqit.

Kërkesën e parë, babai i Haves e kishte bërë rreth viteve të 70-ta dhe procesi diku kishte zgjatur me vite dhe kurrë nuk kishte përfunduar.

“Pse nuk e dimë edhe pse edhe në sistemin e atë hershëm të Jugosllavisë është njoft e drejta e pronës së gruas”, tha ajo para një audience sot në një konferencë të organizuar nga Misioni i OSBE-së në Kosovë.

Hava thotë se pas konfliktit/luftës me insistimin e saj dhe të motrave të saj babai e kishte bërë kërkesën sërish në Gjykatën në Pejë që të gëzojë të drejtën e vet dhe ta marrë pjesën që atij i ka takuar dhe që ia ka lënë baba i tij, gjyshi i Haves.

“I gjithë procesi për të marrë vendim nga gjyqtari i atë hershëm ka zgjatë diku 3 vjet. Arsyet kanë qenë të ndryshme nuk po u jap tani arsye sepse procesi gjyqësor është aq i ngadalshëm sa që në momente të caktuara babai ka menduar të heqë dorë tërësisht. Mirëpo me inkurajimin tim dhe të motrave të mia ne e kemi shtyrë babain që të mos heqë dorë, mos të dekurajohet sepse sistemi i gjyqësisë dikur do ta japë rezultatin e vet dhe fryti do të jetë që ne ta fitojmë pronën që na ka taku gjithmonë”, thotë ajo.

Hava tregon se pas se pronën e gëzojnë tash ajo dhe motrat e saj duke shtuar se për të nuk vlen parimi “e trashëgofsh djalë pas djali”, sepse pronën e trashëgojnë të gjithë edhe gratë e shtëpisë.

“Për këtë arsye këmbëngulësia jona ka bërë që prona e babait të përcillet te unë dhe te motrat e mija”, u shpreh Lajqi.

Sot e asaj dite, Lajqi thotë se kanë biseduar disa herë me kushërinjtë që prona e babait të tyre është e drejtë e tyre dhe se dëshirojnë që këtë të drejtë ta trashëgojnë mirëpo nuk kanë pasur sukses.

“Ju mund të pyesni se sikur të kisha pasë vëlla sepse ne jemi tri motra a kishim kërkuar të drejtën tonë. Po është e drejtë e imja e ka caktuar Zoti, e ka caktuar ligji. Për atë nuk kemi heqë dorë dhe nuk heqim dorë sot e asaj dite”, tha Lajqi më tutje.

Meqë e kanë fituar këtë të drejtë Lajqi thotë se për të dhe motrat e saj ajo pronë u jep siguri ekonomike.

“I gjithë procesi ka qenë i mundimshëm prandaj ftoj gjykatat, drejtësinë që të jenë jo më të shpejtë por në afatet e duhura ta përcjellin një kërkesë në mënyrë që askush mos të mbetet me vajin në buzë, askush mos të privohet nga e drejta në trashëgimi”, porositi ajo.

Porosia e Have Lajqit është: “Unë nuk kam hequr dorë mos hiqni dorë as ju. Trashëgimia nuk është diçka që falet, është e drejtë që i takon secilit”.

Rrëfimi i Have Lajqit, është bërë në kuadër të forumit mbi të drejtat pronësore të grave në Kosovë e organizuar nga OSBE dhe Ambasada Franceze në Kosovë.